Në Shqipëri më 23 qershor Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë ankesën e Shoqatës së Bashkive, që kërkon shpalljen të pavlefshme dhe përsëritjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim e kundërshtuan mbajtjen e zgjedhjeve, duke i bojkotuar ato. Presidenti Meta, anuloi datën origjinale të zgjedhjeve dhe lëshoi një dekret të dytë, kundërthënës, për t'i shtyrë zgjedhjet për në tetor. Zgjedhjet u zhvilluan mes një polarizimi të thellë politik, kur opozita, në një gjest të pashembullt, ishte larguar nga parlamenti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës juristi Jordan Daci, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të shoqatës, parashtron disa nga argumentat kryesore mbi të cilat bazohet kërkesa për anulimin e zgjedhjeve.
Your browser doesn’t support HTML5
Zoti Daci thotë se ai do të mbrojë argumentin se është Gjykata Kushtetuese institucioni i vetëm që ka të drejtën të shqyrtojë kushtetueshmërinë ose jo të një dekreti të presidentit. Ai përmendi gjithashtu të tjera argumente të karakterit formal kushtetues sikurse ato që lidhen me garantimin e stardardeve të së drejtës për të zgjedhur, sipas përcaktimeve kushtetuese dhe të Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut, përfshirë krijimi i mundësive për të zgjedhur, garantimi i fshehtësisë së votës si dhe regjistrimi dhe funksionimi i partive politike në përputhje me kërkesat kushtetuese.