Marinarët mësojnë si të shmangin ngecjen në Kanalin e Suezit

  • Arash Arabasadi

Your browser doesn’t support HTML5

Në muajin mars, një nga anijet më të mëdha në botë ngeci në Kanalin e Suezit në Egjipt, duke shkaktuar një bllokim të madh të qarkullimit të mallrave dhe rritje të kostos së naftës. Në një qendër trajnimi në Francë, marinarët po mësojnë se si të shmangun situata të ngjashme.

Në një kanal të bërë nga dora e njeriut rrëzë apleve të Francës, një miniaturë e një seksioni të Kanalit të Suezit, marinarët po trajnohen për të lundruar. Francois Mayor, i cili drejton shkollën e marinës “Port Revel”, thotë se pjesëmarrësit testohen për aftësitë e drejtimit të anijes.

“Përmes trajnimit, pjesmarrësit vihen në situata reale. Trajnohen për situta të ndryshme dhe emergjente, ku ata humbasin aftësitë teknike ose u duhet të veprojnë në situatat më të larmishme dhe komplekse.”

Instruktorët u mësojnë marinarëve të lundrojnë në kanalin e Suezit në kushte të motit ekstrem si dhe mes dështimit të drejtimit apo problemeve me motorrët e anijes. Zoti Mayor thotë se Franca nuk përballet me stuhi rëre, por ka shpërthime të erërave të forta që shtyjnë anijet nga njëra anë në tjetrën.

Kohët e fundit, një nga anijet më të mëdha në botë për mallrat, “Ever Given”, u bllokua gjashtë ditë në Kanalin e Suezit. Drejtori i shkollës thotë se për qëllime mësimore, kanalet janë ndërtuar posaçërisht që të kenë një hapësirë sa më të vogël manovrimi.

Francois Mayor thotë se është shumë herët për të ditur saktësisht se çfarë nuk shkoi mirë në Suez, por se synimi i trajnimit në shkollën “Port Revel” është për të parandaluar situata të tilla.

“Pas çdo aksidenti, kemi klinetë të rinj që vijnë për trajnim sepse janë të bindur tek puna jonë. Trajnimi në ‘Port Revel’ nuk ka të bëjë aspak me koston e shkaktuar, kur flitet për bllokimin për një ditë të një anije si ‘Ever Given’.”

Çdo ditë, rreth 12% e tregtisë globale kalon përmes Kanalit të Suezit. Ngecja e anijës ‘Ever Given’ shkaktoi një dëm tregtar prej afro 9.6 miliardë dollarësh në ditë. Drejtuesi i shkollës thotë se kur flitet për një kosto kaq të lartë, kompanitë e mëdha të transportit detar ndoshta mund të kenë nevojë që të marinarët e anijeve të tyre të rifreskojnë aftësitë.