Presidenti Joe Biden viziton këtë javë qytetin Tulsa të Oklahomës, si pjesë e veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të masakrës racore në atë qytet. Vizita zhvillohet në një kohë që Shtetet e Bashkuara reflektojnë mbi gjurmën që ka lënë skllavëria dhe dhuna racore e së shkuarës.
Your browser doesn’t support HTML5
Në një kohë kur shumë amerikanë diskutojnë mbi problemet racore, Presidenti Joe Biden viziton të martën qytetin Tulsa me rastin e veprimtarive përkujtimore të 100 vjetorit të masakrës racore në Tulsa.
Qyteti pritet të rifillojë gërmimet e një varri masiv ku dyshohet të jenë groposur trupat e më shumë se 300 të vrarëve gjatë dhunës.
Shkak për masakrën ishte arrestimi i një 19-vjeçari afrikano-amerikan i akuzuar se kishte sulmuar një 17-vjeçare të bardhë. Ngjarjet e vitit 1921 çuan në shkatërrimin e lagjes Greenwood, një pjesë e pasur e qytetit Tulsa që njihej si Wall Street i afrikano-amerikanëve. Vetëm gjatë viteve të fundit ndodhitë e ngjarjes kanë filluar të diskutohen më gjerësisht. 107-vjeçarja Viola Fletcher i mbijetoi masakrës racore në Tulsa.
“Ende shoh burra afrikano-amerikanë që qëllohen dhe trupa të shtrirë përdhe. Ende ndjej erën e tymit dhe shoh zjarrin. Ende shoh bizneset e afrikano-amerikanëve që digjen. Ende dëgjoj zhurmën e aeroplanëve mbi kokat tona. Dëgjoj ulërimat. Çdo ditë e përjetoj masakrën. Vendi ynë mund ta harrojë këtë ngjarje por unë nuk mundem.”
Vitin e kaluar, tre të mbijetuar të masakrës ngritën padi duke kërkuar dëmshpërblime me argumentin se qyteti Tulsa, Qarku Tulsa, shteti Oklahoma dhe Dhoma e Tregtisë në Tulsa ishin përgjegjës për atë që ndodhi. Pyetja qëndron nëse duhen paguar dëmshpërblimet dhe në çfarë shume për të mbijetuarit dhe pasardhësit.
Një muze i ri që përkujton masakrën do të hapë dyert këtë javë. Planet për një koncert u anuluan pas njoftimeve për ndërprerjen e bisedimeve për shpërblimin e të mbijetuarve dhe pasardhësve të masakrës.
Disa zyrtarë thonë se përkujtimi i 100 vjetorit të masakrës është veçanërisht i rëndësishëm tani, në përvjetorin e vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë në Minesota.
Incidenti shkaktoi muaj të tërë protestash në mbarë Amerikën dhe botën. Kjo nxiti shumë njerëz që të reflektojnë mbi pabarazitë racore në jetën amerikane, mes tyre edhe Senatorin e Oklahomës James Lankford.
“Zhvillimet racore gjatë 12 muajve të fundit dhe zgjimi i amerikanëve është si rezultat i punës së papërfunduar për barazinë racore në Shtetet e Bashkuara.”
Incidenti në Tulsa ishte masakra racore më vdekjeprurëse në historinë amerikane, sipas Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në kryeqytetin Uashington.