Presidentja e komitetit organizator të lojërave olimpike në Tokio të premten la të kuptohet se edhe tifozëve vendas mund t’u ndalohet pjesëmarrja në lojërat që hapen në më pak se dy muaj.
Tifozët nga jashtë vendit u përjashtuan muaj më parë, pas vlerësimeve se lejimi i tyre ishte shumë i rrezikshëm gjatë një pandemie.
Mundësia që Lojërat Olimpike të mbahen pa shikues u bë reale pasi qeveria japoneze vendosi të premten të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme deri më 20 qershor, ndërsa rastet me COVID-19 vazhdojnë të sfidojnë sistemin mjekësor.
Gjendja e jashtëzakonshme pritej të hiqej të hënën. Vendimi që përfshin Tokion, Osakën dhe disa prefektura tjera nxiti edhe pikëpyetje nëse do të mbahen Lojërat Olimpike.
Organizatorët këmbëngulin se do të vazhdojnë me përgatitjet përkundër sondazheve në Japoni që tregojnë se 60 deri 80 për qind kërkojnë anulimin e tyre.
“Ne do të donim të merrnin një vendim për tifozët sa më shpejtë që është e mundur, por pas zgjatjes së gjendjes emergjente duhet të kryejmë vlerësime”, tha presidentja i komintetit organizues Seiko Hashimoto gjatë konferencës së përjavshme.
Zonja Hashimoto kishte premtuar të nxirrte vendimin për tifozët vendas në prill, të cilin e shtyu për në fillim të qershorit. Tani afati i fundit është më pak se një muaj nga data e hapjes më 23 korrik.
“Ka shumë njerëz që thonë se Lojërat Olimpike duhet të zhvillohet pa spektatorë, megjithëse sportet tjera po pranojnë spektatorë”, tha Hashimoto. “Ne duhet të shmangim rrezikimin e shërbimeve mjekësore. Duhet të marrin në konsideratë këto gjëra para se të pajtohemi për lejimin e spektatorëve”, përfundoi ajo.
Presioni për anulim të aktivitetit po rritet çdo ditë në Tokio ndërsa shtrohen edhe shumë pikëpyetje rreth rreziqeve të grumbullimit në Japoni të 15 mijë atletëve olimpikë dhe para-olimpikë nga më shumë se 200 vende dhe territore.
Komiteti Ndërkombëtar Olimpik thotë se më shumë se 80 për qind e atletëve dhe stafi që do të qëndrojnë në Fshatin Olimpik në Tokio do të vaksinohen.
Përveç atletëve, dhjetëra mijëra gjyqtarë, zyrtarë, personalitete të njohura, gazetarë dhe transmetues do të duhet të hyjnë në Japoni.
Në fillim të javës revista mjekësore “New England Journal of Medicine” tha në një koment: “Ne besojmë se vendosmëria e Komitetit Olimpik për të vazhduar Lojërat Olimpike nuk bazohet në provat më të mira shkencore”.
Po këtë javë, Asahi Shimbun – gaeta e dytë më e madhe e vendit – tha që Lojërat Olimpike duhet të anulohen .
Revista tjetër “The British Medical Journal” muajin që shkoj përmes një editoriali u kërkoi organizatorëve rishikimin e mbajtjes së Olimpiadës në mes të një pandemie.
Të enjten, kreu i një shoqate të vogël mjekësh në Japoni paralajmëroi se mbajtja e Lojërave Olimpike mund të çojë në përhapjen e varianteve të koronavirusit. Ai përmendi llojet e përhapura në Indi, Britani, Afrikën e Jugut dhe Brazil.
Japonia ka regjistruar rreth 12,500 vdekje nga COVID-19, një numër relativisht i vogël që është rritur gjatë muajve të fundit. Në Japoni shpërndarja e vaksinës filloi ngadalë, por procesi është përshpejtuar ditëve të fundit. Deri tani janë vaksinuar rreth 5 për qind të popullsisë.
Komiteti Ndërkombëtar Olimpik, që shpesh citon Organizatën Botërore të Shëndetësisë si burim të shumicës së informacioneve për koronavirusin, ka qenë i palëkundur duke thënë se lojërat olimpike duhet zhvillohen.
Komiteti merr rreth 75 për qind të të ardhurave të tij nga shitja e të drejtave të transmetimit, që vlerësohet të jetë 2-3 miliardë dollarë nga Tokio. Por të ardhurat janë ngadalësuar pasi ngjarja u shtye.
Vetë Japonia ka shpenzuar 15.4 miliardë dollarë për organizim të Olimpiadës, ndërsa audimiet qeveritare tregojnë se shifrat mund të jenë edhe më të larta.
Javën që kaloi, nënpresidenti i Komitetit ndërkombëtar Olimpik John Coates u pyet nëse Lojrat Olimpike do të zhvillohen edhe nëse vendi ndodhet në gjendje emergjente.
“Absolutisht, po”, tha ai.
Edhe presidenti i Komitetit ndërkombëtar Olimpik Thomas Bach ka deklarauar se “çdokush në komunitetin Olimpik” duhet të sakrifikojë për mbajtjen e ngjarjes.