Tiranë: Kandidatët për postin e kryetarit të PD-së nisin të shpalosin platformat e tyre

Në Tiranë, Partia Demokratike e opozitës ende po vazhdon ankimet nëpër institucione për manipulimet që, sipas saj, bënë komisionerët e Partisë Socialiste gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Your browser doesn’t support HTML5

Kandidatët për postin e kryetarit të PD-së nisin të shpalosin platformat e tyre

Partia më e madhe e opozitës është përfshirë në një tjetër fushatë brenda saj për postin e kryetarit të partisë, për të cilin janë pranuar 4 kandidatë, ndërsa këto zgjedhje partiake mbahen në mes të qershorit.

Kandidatët për kryetarë të Partisë Demokratike po shpalosin tani platformat dhe konceptet e tyre për të ardhmen e partisë më të madhe opozitare, si dhe po komentojnë në mënyra të ndryshme shpalljen nga Departamenti Amerikan i Shtetit të ish-kryetarit të PD-së, ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij si persona të papërshtatshëm për të udhëtuar në SHBA.

Kandidatja Edit Harxhi thotë se marrëdhëniet e saj me zotin Berisha mbeten të njëjta si dhe premton kthimin e partisë demokratike tek idealet e themelimit të saj, për t’u korigjuar drejt të ardhmes.

“Jam e bindur se demokratët do të më besojnë votën, sepse ata besojnë tek unë dhe vlerat, besojnë tek programi im, për të ngritur Partinë Demokratike me idealet e vitit 1991. Ky është fundi i tranzicionit shqiptar, ndaj PD ka nevojë të reformohet. Zoti Basha pretendon se është drejtues perëndimor, por ka humbur katër herë nuk ka bërë asnjë akt perëndimor” - tha zonja Harxhi.

Për një pjesë të partisë, kjo është periudha e parashikuar nga statuti për të ribërë zgjedhjet për kryetar partie.

Një pjesë tjetër mendon se këto duhej të ishin zgjedhje të jashtëzakonshme partiake, kur kryetari aktual Lulzim Basha, do të duhej të jepte dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme, për t’u hapur rrugën forumeve të reja dhe drejtuesve të rinj të partisë.

Kandidati tjetër Agron Shehaj thotë se zoti Berisha është një figurë me rëndësi e historisë së PD-së, dhe nuk pranoi të komentojë raportet e tij me SHBA-në.

Zoti Shehaj thekson se kryetari aktual Basha duhet të krijojë hapësirë politikanëve të rinj në PD që të punojnë të ardhmen, pasi ai shënoi disa humbje zgjedhjesh rresht.

“Pas humbjes së 25 prillit u binda se zoti Basha nuk e çon dot Partinë Demokratike në fitore. Nëse duam që PD të fitojë zgjedhjet, të qeverisë dhe të modernizojë vendin me reforma, atëherë duhet të ndryshojmë drejtuesit e partisë dhe parimet e punës në radhët e një partie të hapur e demokratike” - tha zoti Shehaj.

Kandidati tjetër, Fatbardh Kadilli, shpalosi platformën e tij në një konferencë për shtypin, duke theksuar ringritjen e një PD-je fituese dhe të pastër, që do të mbajë lidhje të ngushta me qytetarin.

Ai tha se ish-kryeministri Berisha e vendos vet një distancë të shëndetshme mes tij dhe PD-së.

Nga ana tjetër zoti Kadilli tha se platforma e tij kërkon rishikimin e programit dhe strukturave të partisë sipas parimeve të konservatorizmit modern.

““Jam për një Parti Demokratike të pastër, të hapur, të bashkuar dhe fituese. Jam për një parti më të madhe se kryetari, ku forumet të zgjidhen sipas parimit “një anëtar një votë”, dhe ato të dialogojnë gjerësisht me qytetarët për të ngritur një alternativë fituese dhe jo si një simetri pushteti, që garon përballë të tjerëve sipas modeleve të vjetra të partisë së punës” – tha zoti Kadilli.

Opozita ka kërkuar mos-njohjen e rezultateve dhe përsëritjen e zgjedhjeve në 9 nga 12 qarqe, por deri tani këto kërkesa po rrëzohen një nga një nga Komisioni i Ankesave në KQZ dhe pritet të përfundojnë në Kolegjin Zgjedhor.

Ndërkohë kryetari aktual i PD-së Lulzim Basha, është një kandidat në garë për t’u rizgjedhur.

Zoti Basha po zhvillon një tur nëpër qarqe për të shpjeguar pikëpamjen e tij se “zgjedhjet e 25 prillit u vodhën nga Partia Socialiste, përmes një masakre elektorale”, duke përdorur burimet shtetërore, me presione dhe favorizime të ndryshnme.

“Ne morëm pjesë në zgjedhje si një parti me program bashkëkohor dhe shpalosëm alternativën tonë për reforma në ekonomi dhe fusha të tjera, por kudo u pritëm nga bandat e pushtetit, që shisnin dhe blinin vota, që bënin presione dhe kërcënonin votuesit. Megjithatë, ne dolëm më të fortë pas zgjedhjeve” - tha zoti Basha.

Sipas rezultatet paraprake, PS ka marrë 74 nga 140 mandate, PD dhe aleatët e saj 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.

Partia Socialiste i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për blerje apo manipulim votash.

Vëzhguesit ndërkombëtarë pohuan se në tërësi zgjedhjet ishin të rregullta, dhe po rendition në një raport të plotë gjetjet e tyre ku mbizotëron përdorimi i burimeve shtetërore nga qeveria gjatë fushatës.

Parlamenti i ri mblidhet në shtator, kohë kur edhe diplomatët amerikanë dhe europianë janë shprehur se mirëpresin kthimin e opozitës në parlament, pas afro 2 vjet mungese.