14 persona kanë vdekur pasi një teleferik që lidh liqenin Maggiore të Italisë me një mal pranë tij u këput të dielën, njofton agjencia e lajmeve Associated Press. Një fëmijë njoftohet se është në gjendje të rëndë.
Kryetarja e bashkisë në Stesa,Marcella Severino, tha se duket se kavoja e teleferikut u këput duke bërë që kabina të rrëzohej nga një lartësi e madhe.
Teleferiku Stresa-Mottarone çon turistët dhe vendasit nga qyteti i famshëm Stresa, në liqenin Maggiore, gati 1400 metra mbi nivelin e detit deri në majën e malit Mottarone. Udhëtimi me teleferik zgjat 20 minuta.
"Është një aksident shumë i rëndë", tha Walter Milan, një zëdhënës i shërbimit kombëtar të shpëtimit alpin për televizionin RaiNews24.
Thirrja për shpëtim erdhi menjëherë pas mesditës. Kabina e teleferikut kishte rënë nga një lartësi e madhe dhe tani qëndron i shkatërruar në pyjet poshtë, shtoi zoti Milan. Shërbimi me teleferik sapo ishte rihapur pas heqjes graduale të kufizimeve të koronavirusit.