SHBA-Koreja e Jugut, partneritet për vaksinën

Your browser doesn’t support HTML5

Koronavirusi, ndryshimet klimatike dhe bashkëpunimi në industritë e teknologjisë së lartë ishin në qendër të takimit në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Joe Biden dhe homologut koreano-jugor Moon Jae-in. Udhëheqësit diskutuan gjithashtu edhe çështjen e Koresë e Veriut, megjithëse perspektivat për çnuklearizimin duken të vakta.

Koreja e Jugut ka vaksinuar 3% të 52 milion banorëve të saj por synon të arrijë imunitetin e tufës deri në nëntor. Shtetet e Bashkuara u zotuan të ndihmojnë përpjekjet e Seulit përmes një partneriteti për vaksinat të njoftuar nga Presidenti Joe Biden gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Moon Jae-in të Koresë së Jugut.

“Në këtë mënyrë mund të rrisim furnizimet globale me vaksina. Do të forcojmë aftësinë për të luftuar pandeminë dhe reaguar ndaj kërcënimeve biologjike në të ardhmen.”

Udhëheqësit u përqendruan edhe tek ndryshimet klimatike, siguria rajonale dhe programi bërthamor i Koresë së Veriut.

“Dy vendet tona ndajnë gatishmërinë për angazhim diplomatik me Phenianin, për të ndërmarrë hapa pragmatikë që do të zvogëlonin tensionet ndërsa ecim drejt synimit tonë përfundimtar që Gadishulli Korean të mos ketë arsenal bërthamorë”, tha Presidenti Biden.

Presidenti Moon hodhi poshtë nocionin se ekziston një sens i ndryshëm urgjence, duke theksuar se të dy vendet janë dakord për hapat që duhen ndërmarrë në lidhje me Phenianin.

“Tashmë është shpallur nga Uashingtoni parimi i negociatave ndaj Koresë së Veriut; shumë i kalibruar, praktik, gradual, hap pas hapi dhe shumë fkelsibël”, tha Presidenti Moon Jae-in.

Nga ana tjetër, analistët thonë se perspektivat për të ndaluar ambiciet bërthamore të Kim Jong Un-it janë shëm të vakta.

Sue Mi Terry është analiste për Korenë në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare.

“Nuk ka ndonjë urgjencë kur flitet për Korenë e Veriut. Nuk pritet ndonjë përparim i shpejtë.”

Presidenti Moon do që të çimentojë një trashëgimi si paqebërës para se të largohet nga posti vitin që vjen.

Por rezervat bërthamore të Phenianit janë shtuar pavarësisht diplomacisë personale mes Trumpit dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut.

Administrata e Presidentit Biden tha se do të ndjekë një “qasje praktike të kalibruar” me Phenianin, por nuk ka dhënë shumë detaje.

Scott Snyder është drejtor i politikës SHBA-Korea në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Uashingtoni do të krijojë sa më shumë hapësirë, për të mbajtur derën hapur për dialog të mundshëm me Korenë e Veriut, por edhe që të mos turpërohet në rast se Koreja e Veriut u kthehet provokimeve.”

Presidenti Biden falenderoi kompanitë jugkoreane për investimin e më shumë se 25 miliardë dollarëve në Shtetet e Bashkuara, dhe falenderoi Seulin për mbështetjen e përpjekjeve të tij për të ndërtuar një qëndrueshmëri të zinxhirit të furnizimit.

Presidenti Moon është udhëheqësi i dytë botëror i pritur nga zoti Biden që nga ardhja e tij në detyrë, pas vizitës në prill nga Kryeministri japonez Yoshihide Suga, një shenjë e përqëndrimti të vëmendjes së Uashingtonit tek aleatët aziatikë ndërsa përballet me forcimin e Kinës.

“Atmosfera mes dy vendeve është shumë e mirë. Kështu që ata duan të shfaqin forcën e marrëdhënieve mes aleatëve”, thotë analistja Sue Mi Terry e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Të premten, Presidenti Biden i dha Medaljen e Nderit ish kolonelit Ralph Puckett Jr. për trimëri të spikatur gjatë Luftës së Koresë. Kjo është hera e parë që një udhëheqës i huaj merr pjesë në një ceremoni të tillë.