Në Shqipëri, për të 13-ën javë radhazi, që nga periudha 16-22 shkurt, shifrat e pandemisë COVID 19 vijojnë të jenë në ulje të pandërprerë. Gjatë javës së kaluar 11 Maj-11 Maj, të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë një tjetër rënie të ndjeshme të numrit të të infektuarve rishtazi apo dhe të shtrimeve në spitale, ndërkohë që rastet e humbejeve të jetës shënuan një rritje të lehtë. Në të gjithë vendin, rastet e aktive janë tkurrur ndjeshëm.
Në total, në 7 ditët e fundit, u rregjistruan 279 raste të reja, ose 41.6 përqind më pak se në javën pararendëse. Bëhet fjalë për kuotën më të ulët javore që nga mesi i qershorit të vitit të shkuar. E hëna shënoi dhe kuotën më të ulët me vetëm 17 të infektuar, një nivel që nuk ishte parë që nga 23 marsi 2020, kur pandemia ishte në javën e dytë të saj. Të infektuarit e ditës së hënë u identifikuan në 9 nga 62 Bashkitë e vendit: 4 rastë në Shkodër, nga 2 raste në Tiranë, Fier, Lezhë, Vlorë, Delvinë, dhe nga 1 rast në Kurbin, Mirditë, Finiq. Që prej fillimit të pandemisë Shqipëria numëron 132.032 të prekur.
Rënia e rasteve erdhi ndërsa numri i testimeve pësoi një rritje të lehtë javore me 4.4 përqind, ose 19.124 tamponë të kryer në total. Për pasojë pozitiviteti (raporti mes rasteve dhe numrit të testimeve) vijoi gjithashtu të bjerë duke u ulur në një mesatare javore prej 1.4 përqind, ose 1.2 pikë përqindje më pak nga java e mëparshme. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Në të kundërt, numri i viktimave iu rikthye rritjes gjatë javës së fundit, ndërsa në total u rregjistruan 19 viktima, nga 16 humbje jete të shënuara në javën pararendëse. Dita me numrin më të ulët, vetëm 1 viktimë ka qenë 14 Maji, ndërsa të hënën 3 persona humbën jetën: 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Malësia e Madhe, 1 qytetar nga Vlora të moshave 40- 79 vjeç. Në total, që prej shfaqjes së pandemisë, janë 2435 qytetarë që nuk mundën t’i rezistonin sëmundjes.
Nga ana tjetër, shtrimet në spitale kanë vijuar të reduktohen. Ndërsa një javë më parë, më 10 Maj, kishte 99 pacientë, të hënën ishin 80 të shtruar. Ndërsa prej 4 ditësh, nuk ka patur asnjë të sëmurë të intubuar, por vetëm 9 në terapi intensive.
Përmirësimi i vazhdueshëm i situatës ka sjellë një reduktim të fortë të rasteve ende aktive. Deri të hënën, 17 maj, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në të gjithë vendin kishte 4.178 persona ende të prekur, ndërsa mbi 7 mijë të tjerë u shëruan gjatë javës së fundit. Pjesa dërrmuese, 3276 raste janë në Tiranë. Shkodra dhe Korça janë dy qarqet e tjera me respektivisht 175 dhe 160 raste, ndërsa në zonat e tjera numri është poshtë 100 personave ende të prekur.
Në vend po vijon ndërkohë procesi i vaksinimit. Deri më tani rezulton të jenë kryer në total 669.650 doza, prej të cilave, 216.019 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID. Një sasi prej 12.870 dozash të vaksinës Pfizer mbërritën mbrëmjen e së hënës në Shqipëri, ndërsa në total kanë ardhur mbi 773 mijë doza përfshirë dhe vaksinat Astrazeneca, Sinovac dhe Sputnik V.