SHBA, çështja në Gjykatën e Lartë që mund të kufizojë të drejtat mbi abortin

Gjykata e Lartë e SHBA ra dakord të hënën të marrë në shqyrtim një çështje e cila mund të kufizojë të drejtat që gëzojnë gratë amerikane prej 50 vitesh lidhur me abortin. Vendimi lidhet me një ligj të debatueshëm të miratuar nga shteti i Misisipit që ndalon shumicën e aborteve pas javës së 15-të.

Argumentet mbi këtë çështje ka të ngjarë të dëgjohen në sesionin e muajit tetor të gjykatës, e cila tashmë ka një shumicë të re konservatore prej 6 anëtarësh nga 9 gjithsej, të gatshëm ndoshta të kufizojë ndjeshëm të drejtën kushtetuese të një gruaje për abort. Kjo e drejtë u përcaktua fillimisht me një vendim të kësaj gjykate të vitit 1973 në atë që njihet si çështja Roe kundër Wade e që u riafirmuan sërish 19 vite më vonë.

Çështja e abortit mbi një ligj të miratuar në Misisipi do të ishte e para seancë dëgjimore për anëtaren e re të gjykatës Amy Coney Barrett, një kundërshtare e abortit e cila u emërua në këtë detyrë vitin e kaluar nga ish-Presidenti Donald Trump. Zonja Barrett zëvendësoi gjykatësen e ndjerë Ruth Bader Ginsburg, i cila njihej për qasjen e saj të vendosur pro së drejtës për abort. Zonja Barrett është një nga tre konservatorët e emëruar në Gjykatës e Lartë nga ish-Presidenti Trump.

Në një vendim të Gjykatës së Lartë të vitit 2020 mbi një ligj mbi abortin të shtetit të Luizianës, dy të gjykatësit e tjerë konservatorë, Neil Gorsuch dhe Brett Kavanaugh, votuan pro vendosjes së kufizime ndaj mjekëve çka mund të kishte mbyllur dy nga tre klinikat e abortit të këtij shteti. Por gjykata e rrëzoi ligjin e Luizianës në një vendim 5 me 4.