Pas futjes në tregun gjerman, austriak dhe atë të Suedisë, një fabrikë nga Kosova që prodhon shtëpi me parafabrikate dhe miqësore për mjedisin synon tregun amerikan. Muajin e ardhshëm “Instabuild” do të marrë pjesë në një panair në shtetin e Teksasit, ku do të prezantohen disa modele shtëpish. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, pronari i fabrikës, Mentor Pllana, thotë se këto lloj shtëpish janë të favorshme për planetin Tokë.
Your browser doesn’t support HTML5
Katër modele shtëpish modulare dhe ekologjike të prodhuara në fabrikën “Instabuild” në Kosovë, nga mesi i qershorit do të ekspozohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes panairit në Austin të Teksasit kompania me përvojë në ndërtimtarinë e Kosovës, pret që të zgjerojë aktivitetin përtej oqeanit.
“Është e lehtë që prej Evropës ose Amerikës të vish në Kosovë por është e vështirë prej Kosovës të shkosh në Amerikë dhe Evropë me produkte dhe shërbime. Unë mendoj se ajo që ndodhi në Kosovë si liria, pavarësia dhe demokracia ishin të mjaftueshme për familjen tonë të mendojmë dhe të vijmë me diçka si kjo. Pra pas 20 vitesh me sukes të realizimit të projekteve dhe ndërtimit të komuniteteve në Kosovë, tani me fabrikën mundësohet që atë që krijuam për kaq vite në Kosovë ta sjellim si përvojë, si mënyrë e zgjedhjes së problemeve nga Kosova për botë”, tha Mentor Pllana, pronar i kompanisë së ndërtimit BP Home dhe fabrikës Instabuild.
“Instabuild” do të prezantojë në ShBA dy modele të shtëpive të stilit amerikan dhe dy plane tjera të shtëpive minimaliste.
Pronari i fabrikës thotë se është i kënaqur nga kërkesat në Gjermani, Austri dhe Suedi, ku shtëpitë e tij tashmë kanë hyrë në treg.
“Për momentin mund të them se kemi me dhjetëra porosi në procedurë, që nënkupton se brenda vitit 2021 besoj që do të arrijmë vetëm në Evropë shifrën deri te 100-110 shtëpi. Ndërsa tek pjesa e Amerikës kemi kërkesa për 650 shtëpi në pjesën e e Dallasit”, thotë ai.
Kërkesat për shtëpi miqësore me mjedisin kanë filluar të shtohen.
“Ndikimi global i këtij ndërtimi është në zvogëlimin e dioksidit të karbonit në atmosferë, deacidifikimin e oqeaneve… pjesa e ozonit në atmosferë”.
Zoti Pllana shton se një e veçantë e këtyre shtëpive është koha e shkurtër e prodhimit të tyre.
“Me 126 punëtorë për katër orë prodhohet një shtëpi. Duke mos llogaritur pjesën e transportit në vend të ngjarjes, ndërtimi kryhet për nëntë orë. Tetë ose nëntë orë e përfundojmë ndërtimin e vrazhdë. Ndërsa në mënyrë që ajo të jetë e banueshme siç po mundohemi të bëjmë në Amerikë me panairin, nëntë ose dhjetë ditë është e banueshme”.
Por këto shtëpi ende nuk gjejnë zbatim të madh në botë për shkak të mungesës së fleksibilitetit. Plani i ndërtimit të një shtëpie të tillë varet nga fabrika prodhuese duke pamundësuar përshtatjen e saj sipas kërkesave të konsumatorëve.
Zoti Pllana thotë se depërtimi i produkteve të tij në ShBA krijon mundësi edhe për biznese tjera vendore dhe ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Nëse mund ta ilustroj me një shembull, nëse ne e ndërtojmë një shtëpi në Evropë ose Amerikë aty do të na duhen tetë dyer, nëntë dritare, pesë dhoma gjumi, e një kuzhinë. Pra ky do të jetë efekti anësor për zhvillim ekonomik dhe teknologjik të Kosovës”.
Tani që ka përfunduar të gjitha procedurat teknike dhe licencimin, sipërmarrrësi shpreson që të futet në tregun amerikan, vendin që ai thotë se e frymëzoi në ndërtimin e shumë lagjeve të njohura në Kosovë.
“Amerika është shembulli i ndërtimit të komuniteteve të standardizuara me rrugë, gjelbërim dhe aty lindi ideja që të ndërtojmë komunitete që t’u ngjasojmë komuniteteve perëndimore dhe të rregulluara”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Ai beson se në të ardhmen e afërt edhe Kosova do të përqafojë gjithnjë e më shumë ndërtimet ekologjike.