Rusia ka mohuar përfshirjen në sulmin kibernetik që dëmtoi funksionimin e një tubacioni të rëndësishëm në SHBA, një arterie kryesore për gati gjysmën e furnizimit me karburant në Bregun Lindor. Ndërsa administrata Biden ka ndërmarrë hapa për të trajtuar mungesat e benzinës, çmimet e karburantit janë rritur. Zyrtarët u përpoqën të minimizonin shqetësimet në lidhje me furnizimin me karburant, por disa amerikanë tashmë po paguajnë më shumë.
"Është një tjetër gjë po na shkakton stres," thotë një kliente.
Tubacioni “Colonial”, nga i cili lëviz pothuajse gjysma e naftës që konsumohet në Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara ndaloi punën javën e kaluar për shkak të një sulmi kibernetik.
Autorët e sulmeve të tilla, kundrejt kërkesës për një pagesë, mbajnë rrjetet e kompanive dhe qeverive peng, duke paralizuar shërbimin e tyre.
FBI-ja thotë se përgjegjës është “DarkSide”, një grup kriminal në Rusi ose në Evropën Lindore.
"Ne do të presim që komuniteti ynë i inteligjencës të bëjë një vlerësim të plotë para se të kemi më shumë për të thënë në lidhje me sulmin," tha Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
“DarkSide” tha se dëshiron thjesht të fitojë para dhe nuk ka interesa gjeopolitike. Të martën, zëdhënësi i qeverisë ruse Dmitry Peskov mohoi përfshirjen e Rusisë.
"Ne kundërshtojmë me forcë çdo akuzë kundër nesh në lidhje me këtë”, tha zoti Peskov.
Në muajin prill, administrata e presidentit Biden vendosi sanksione ndaj Rusisë për përfshirje në sulmin kibernetik “SolarWinds” që synonte të godiste agjencitë federale.
Ekspertët kibernetikë thonë se një marrëveshje ndërkombëtare, ndoshta me Rusinë, është e nevojshme për të ndalur sulmet.
"Duhet gjetur një mënyrë për të ndalur këtë model biznesi, për t’ua bërë më të vështirë këtyre grupeve kriminale në Rusi dhe rajone përreth të hakojnë dhe të bëjnë që kompanitë të paguajnë për të lëshuar të dhënat e tyre. Nëse nuk mund t'i ndihmojmë kompanitë të mbrojnë të dhënat e tyre, nëse nuk mund t'i ndihmojmë operatorët kritikë të infrastrukturës të kuptojnë cilat janë rreziqet, atëherë ky problem do të vazhdojë", thotë ekspertja Meg King.
Tubacioni Colonial tha se po punon për të rivendosur shërbimet. Ndërkohë administrata Biden ka ndërmarrë hapa për të trajtuar mungesat e karburantit, përfshirë përkohësisht lejimin e përzierjeve të benzinës me cilësi më të ulët për të rritur furnizimin. Ajo po u kërkon operatorëve hekurudhorë të transportojnë karburant në zonat që kanë më shumë nevojë.
“Nuk është se kemi mungesë benzine. Kemi një krizë furnizimi por gjërat do të kthehen shpejt në normalitet,” tha Sekretarja e Energjisë, Jennifer Granholm.
Administrata po përgatitet, nëse është e nevojshme, të heqë dorë nga një rregull federal, i cili kërkon që karburantet mes porteve të vendit të transportohen vetëm me anije amerikane.