Shtëpizat, një zgjidhje kalimtare për të pastrehët në Kaliforni

Në shumë qytete të Shteteve të Bashkuara ka njerëz të cilët janë të pastrehë për shkak të papunësisë, çmimit të lartë të banesave, sëmundjeve mendore dhe abuzimit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mike O’Sullivan, zyrtarët në Kaliforni thonë se shtëpizat e vogla të përkohshme janë një pjesë e zgjidhjes së këtij problemi.

Më shumë se 66,000 njerëz ishin të pastrehë në zonën e Los Anxhelosit në vitin 2020.

Gati 23,000 prej tyre u sistemuan në banesa vitin e kaluar, por dhjetëra mijëra të tjerë vazhdojnë të jetojnë në rrugë.

Një zgjidhje e përkohshme për këtë nga organizata rinore “Los Angeles Conservation Corps” është vendosja e qindra shtëpizave të parafabrikuara në shtatë zona të qytetit.

Njëra prej këtyre qendrave u hap në shkurt, duke siguruar një hapësirë private jetese për këtë grua dhe dhjetra njerëz të tjera.

“Më mbaruan paratë dhe për një kohë u përpoqa të jetoja në një motel. Pasi më mbaruan të gjitha paratë përfundova në rrugë, jetoja pranë një autostrade”, thotë Estella Ortiz.

Ajo vishej me shtresa të shumta rrobash për të dekurajuar sulmuesit pasi një burrë u përpoq ta përdhunonte.

Tani, shtëpiza e saj ka ngrohje dhe ajër të kondicionuar dhe një derë që mund të mbyllet, duke i ofruar asaj siguri.

Në këtë komunitet ndodhen 39 shtëpiza, secila prej tyre me gjashtë metra katrorë hapësirë, një hapësirë të përbashkët për larjen e rrobave, dush dhe ushqim. Së shpejti, 75 njerëz do të jetojnë këtu.

Ajo menaxhohet nga organizata bamirëse, Hope of the Valley.

“Ne sjellim tre racione ushqimore në ditë. Njerëzi mund të hanë ushqimin në këtë zonë, ose në shtëpizat e tyre", thotë Rowan Vansleve nga organizata Hope of the Valley.

Zyrtarët e qytetit i blenë këto shtëpiza nga kompania Pallet në shtetin e Uashingtonit.

“Ky është angazhimi ynë më i fundit në Los Anxhelos, projekti Aleksandria. Këtu ne do të vendosim disa shtëpiza. Disa prej tyre janë pjesërisht të përfunduara, ndërsa të tjerat janë tashmë gati”, thotë presidentja e kompanisë Pallet, Amy King.

Kjo qendër do të ketë 103 shtëpiza. Secila prej tyre është e pajisur me të gjitha gjërat e nevojshme dhe kushton rreth 11,000 dollarë. Kosto të tjera për këto komunitete, përfshijnë asfaltimin, energjinë, ujin dhe linjat e ujërave të zeza, që variojnë nga njëqind mijë deri në disa miliona dollarë.

Banorët mund të jenë përdorues të drogave, por duhet të lënë jashtë tyre në një dollap personal të mbyllur drogat e paligjshme dhe alkoolin.

Kjo është një zgjidhje që ofron siguri dhe privatësi dhe mbështetet nga shumë zyrtarë lokalë, përfshirë ish-kryebashkiakun e qytetit të Riversajdit në Kaliforni, i cili banoi dy javë në njërën prej shtëpizave për të rritur ndërgjegjësimin për të pastrehët.

Banorët e këtyre shëpizave kanë një vend për të jetuar, dhe shërbimet e nevojshme sociale.

"Pavarësisht problemeve, qofshin ato të shëndetit mendor, ose varësisë nga droga apo traumës, gjatë qëndrimit në këtë qendër, qoftë për 90 apo 120 ditë, ne do të përqëndrohemi në trajtimin e një problemi kryesor", thotë Rowan Vansleve nga organizata Hope of the Valley.

Kjo pasohet me ndihmën për të kaluar në një strehim të përhershëm, një proces që nuk është i lehtë, duke patur parasysh se strehimi i subvencionuar është i kufizuar, si dhe sfidat financiare dhe emocionale.

“Si do ta rindërtoj jetën? Si do të mund të ngrihem në këmbë përsëri? Është shumë e vështirë ”, thotë Estella Ortiz.

Kjo është një nga qasjet e shumta për të trajtuar çështjen e të pastrehëve.

"Nuk është modeli i vetëm, por është një alternativë e mirë për një segment të popullatës sonë të pastrehë", thotë zyrtari i qytetit të Los Anxhelosit, Paul Krekorian.

Një përpjekje për të lehtësuar një problem të madh social.