SHBA vazhdon tërheqjen e trupave ‘sipas planit’ nga Afganistani 

Your browser doesn’t support HTML5

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani

Zyrtarët e lartë amerikanë të mbrojtjes thonë se më pak se një javë pas fillimit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, operacioni po shkon sipas planit. Por siç njofton korrespodentja e Zërit të Amerikës në Pentagon, Carla Babb, sfidat mbeten.

Ushtria amerikane ka mbyllur një bazë në Afganistan dhe ka tërhequr mjaft armë dhe pajisje duke mbushur rreth 60 avionë transportues C-17.

"Më pak se një javë pas fillimit, tërheqja po shkon sipas planit", tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.

Duke folur të enjten në konferencën e parë të përbashkët me gazetarët, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Mark Milley u zotuan të vazhdojnë të ndihmojnë ushtrinë afgane me fonde dhe mbështetje të tjera nga bazat jashtë Afganistanit.

Por udhëheqësit e Pentagonit pranuan sfidat e mëdha që priten së shpejti, duke përfshirë mënyrën se si forcat amerikane do të vazhdojnë të trajnojnë dhe këshillojnë partnerët e tyre afganë.

"Ne gjithashtu do të vazhdojmë të shqyrtojmë ndoshta mundësinë e trajnimit në vende të tjera. Por nuk e dimë. Ende nuk e kemi gjetur një zgjidhje 100 për qind. Por ne do të ofrojmë mbështetje edhe për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe mbase për operacionet kundër terrorizmit nga ajri”, tha shefi i shtatmadhorisë amerikane, Gjenerali Mike Milley.

Shtetet e Bashkuara po largohen nga Afganistani pas një lufte gati 20 vjeçare.

“Ajo që kemi provuar për shumë vite, mposhtja ushtarake e talebanëve, nuk ka funksionuar. Jemi bllokuar në frontin e sigurisë. Jemi të bllokuar në bisedimet në Doha. Dhe nganjëherë na duket sikur jemi bllokuar brenda qeverisë afgane në aspektin e ndërtimit të një grupi koherent politik afgan brenda Kabulit”, thotë ambasadori Douglas Lute, ish-përfaqësues në Këshillin e Atlantikut të Veriut.

Dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara po tërhiqen, gjenerali Milley thotë se forcat afgane nuk janë shkatërruar nën presionin e shtuar.

"Ky nuk është fundi, bazuar në vlerësimin tim profesional ushtarak kjo nuk do të thotë se talebanët automatikisht do të fitojnë, dhe Kabuli do të bjerë ose një nga ato parashikime të tmerrshme do të realizohen. Ky nuk është fundi”, tha shefi i shtatmadhorisë amerikane.

Ushtria amerikane thotë se gjatë vitit të kaluar Afganistani ka parë 80 deri në 120 sulme armike në ditë. Ky ritëm, së bashku me bisedimet e bllokuara të paqes, janë sinjale se vendi do të ketë një rrugë të vështirë përpara.