Dy amerikanë shpallen fajtorë për vrasjen e policit italian

Dy amerikanë u shpallën fajtorë për vrasjen e një oficeri të policisë italiane në vitit 2019 dhe u dënuan me burgim të përjetshëm. Pas një gjykimi që zgjati më shumë se një vit dhe tërhoqi vëmendjen e Italisë, juria debatoi për 12 orë përpara se të jepte vendimin e saj të mërkurën kundër 21 vjeçarit Finnegan Lee Elder, dhe 20 vjeçarit Gabriel Natale-Hjorth.

Një juri në Romë shpalli vendimin në gjyqin ndaj 21-vjeçarit Finnegan Lee Elder dhe 20-vjeçarit Gabriel Natale-Hjorth, të akuzuar për vrasjen e zëvendës shefit të policisë Mario Cerciello Rega, anëtar i trupave paraushtarake të Karabinierisë italiane.

Prokurorët argumentuan se të rinjtë amerikanë sajuan një komplot që përfshinte një çantë dhe një celular të vjedhur pas përpjekjes së tyre të dështuar për të blerë kokainë në distriktin Trastevere të Romës. Dy të rinjtë dëshmuan se kishin paguar për kokainën por nuk e përdorën atë.

Ata thanë se vepruan për t’u vetëmbrojtur pasi menduan se dy oficerët ishin banditë që po i sulmonin.

Oficeri i ndjerë Cerciello Rega u caktua së bashku me një partner tjetër me uniformë civile të ndiqte një përpjekje të raportuar për grabitje.

E veja e tij, Rosa Maria Esilio, mbante një foto të bashkëshortit ndërsa priste të dëgjonte vendimin.

"Integriteti i tij u mbrojt dhe u vërtetua, edhe pse u vu në provë përmes shumë aludimesh. Do të doja vetëm të kthehesha në shtëpi dhe ta gjeja atë aty. Ardhja sot këtu ishte si në ditën kur arrita në spital (ku Rega u çua pas sulmit)".

Të dy amerikanët nga Kalifornia, u shpallën gjithashtu fajtorë për grabitje, sulm, rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe mbajtjen e një thike vdekjeprurëse pa arsye.

Avokati mbrojtës i të riut Elder e quajti vendimin përfundimtar një "turp për Italinë".