Blinken: SHBA do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i tha Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy të enjten në Kiev, se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të forcojnë partneritetin me Ukrainën në mënyrë që ajo të mbrojë veten kundër agresionit rus. Zoti Zelenskyy tha se kërcënimi rus ndaj vendit të tij vazhdon të jetë i pranishëm.

Sekretari i Shtetit Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare që e kanë mbështetur Ukrainën përballë agresionit rus.

"Mund t'ju them zoti president, se ne qëndrojmë me forcë krah jush, ashtu si edhe partnerët tanë. Këtë mesazh e kam dëgjuar kur isha në NATO para dy javësh”, tha ai.

Zoti Zelenskyy tha se formati i këtij partneriteti ishte një çështje thelbësore.

Zoti Zelenskyy e konfirmoi një gjë të tillë.

"Po flasim për një aleancë dhe një marrëveshje serioze dypalëshe," tha ai, duke shtuar se ishte shumë herët për të folur në lidhje me detajet.

Rusia, e cila pretendon se ushtarët e saj nuk janë në terren në Ukrainën lindore, shkaktoi shqetësim të madh këtë vit duke kryer stërvitje masive ushtarake pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia tha në fund të muajit të kaluar se ka tërhequr forcat, por Kievi i pa stërvitjet si një shenjë të rrezikshme.

"Jemi të vetëdijshëm që Rusia ka tërhequr disa forca nga kufiri i Ukrainës, por atje vazhdojnë të mbeten forca të konsiderueshme," vuri në dukje zoti Blinken.

"Shërbimi ynë i zbulimit njoftoi se vetëm 3,500 ushtarakë (rusë) filluan të tërhiqen dhe të largohen nga territori i pushtuar i gadishullit të Krimesë. Nuk shohim ndonjë rënie tjetër," tha ai.

Ukrainasit kishin shpresa të mëdha për vizitën e zotit Blinken, rritjen e ndihmës ushtarake dhe mbështetjen e fortë për anëtarësimin e vendit në NATO.

Me vizitën e tij në Ukrainë kaq herët në mandatin e tij, zoti Blinken po sinjalizon se Ukraina është një përparësi e lartë e politikës së jashtme për administratën e Presidentit Joe Biden.

Shtëpia e Bardhë tha të enjten se administrata është e përkushtuar t’i mbajë dyert e NATO-s të hapura për vendet e tjera që duan të anëtarësohen kur ato të kenë përmbushur angazhimet e nevojshme për ta bërë këtë,

Zëdhënësja Karine Jean-Pierre i bëri komentet për gazetarët në avionin presidencial Air Force One kur u pyet për qendrimin e administratës lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në NATO.