WASHINGTON (AP) - Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) pritet të autorizojë përdorimin e vaksinës COVID-19 të Pfizer-it për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç deri javën e ardhshme. Kjo sipas një zyrtari federal dhe një personi që ka njohuri për procesin, të cilët folën në kushtet e anonimitetit.
Veprimi i agjencisë FDA do të pasohet nga një takim i një komisioni këshillues federal për vaksinat ku do të diskutohet nëse duhet të rekomandohet vaksina për grupmoshën 12 - 15 vjeç. Më pas Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të veprojnë sipas rekomandimit të komisionit në fjalë. Këto hapa mund të përfundojnë brenda pak ditësh.
Gazeta Nju Jork Tajms raportoi e para për kohën e pritshme të autorizimit.
Në fund të marsit kompania Pfizer publikoi rezultatet paraprake të një studimi me 2,260 vullnetarë amerikanë të moshës 12 deri në 15 vjeç, që tregoi se nuk kishte raste të COVID-19 mes adoleshentëve të vaksinuar plotësisht, krahasuar me 18 mes atyre që u injektuan me placebo (solucion pa asnjë efekt).
Fëmijët kishin efekte anësore të ngjashme me ato që shihen tek të rriturit, tha kompania. Efektet kryesore anësore janë dhimbja e trupit, ethet, temperatura dhe lodhja, veçanërisht pas dozës së dytë. Studimi do të vazhdojë të ndjekë pjesëmarrësit për dy vjet për më shumë informacion në lidhje me mbrojtjen afatgjatë dhe sigurinë.
Kompania Pfizer nuk është e vetmja kompani që kërkon të ulë kufirin e moshës për vaksinën e saj. Nga mesi i këtij viti priten gjithashtu rezultatet nga një studim për vaksinën Moderna për moshat 12-17 vjeç.
Duke lënë të kuptohet se gjetjet ishin premtuese, FDA i lejoi të dyja kompanitë të fillonin studime në Shtetet e Bashkuara për fëmijët 11vjeç e poshtë, duke shkuar deri në moshën 6 muajshe.
Më shumë se 131 milionë doza të vaksinës Pfizer janë administruar tashmë në Shtetet e Bashkuara ku kërkesa për vaksina tek të rriturit është ngadalësuar në mënyrë drastike javët e fundit.
Ndërsa të rinjtë rrezikojnë të kenë më pak efekte anësore serioze nga COVID-19, ata përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të reja të virusit ndërsa shumica e të rriturve në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar të paktën pjesërisht dhe ndërsa aktivitete me rrezik më të lartë si ngrënia në ambiente të mbyllura dhe aktivitetet sportive kanë rifilluar në pjesën më të madhe të vendit. Zyrtarët shpresojnë që shtrirja e vaksinimeve tek adoleshentët do të përshpejtojë më tej uljen e rasteve të virusit dhe do të lejojë që shkollat të rihapen me ndërprerje minimale këtë vjeshtë.
Shtetet e Bashkuara kanë porositur të paktën 300 milionë doza të vaksinës Pfizer deri në fund të korrikut, të mjaftueshme për të imunizuar150 milionë njerëz.