Agjentët federalë amerikanë kanë arrestuar më shumë se 430 vetë në lidhje me sulmin e 6 janarit në Kapitolin amerikan, tha të enjten një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë, duke shtuar se numri i arrestimeve vazhdon të rritet.
430 të arrestuarit përfaqësojnë më shumë se gjysmën e rreth 800 mbështetësve të ish-Presidentit Donald Trump që sulmuan me dhunë Kapitolin në përpjekje për të parandaluar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden nga Kongresi.
Sulmi, i cili la pesë të vdekur, duke përfshirë një oficer të Policisë së Kapitolit, dhe rezultoi në më shumë se 100 oficerë të tjerë të plagosur, u bë shkas për një nga hetimet më të mëdha penale në historinë e SHBA.
"Hetimet shtrihen pothuajse në të gjithë vendin," tha Brad Wiegmann, zëvendës ndihmës Prokuror i Përgjithshëm për sigurinë kombëtare para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Akordimin e Fondeve.
Të arrestuarit deri më tani përfshijnë disa dhjetra anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë, si dhe personel ushtarak aktiv dhe në pension; gjithashtu pjesëtarë të forcave të rendit, por edhe qindra të tjerë pa ndonjë lidhje të njohur me organizata ekstremiste.
Ndërsa ritmi i arrestimeve është ngadalësuar ndjeshëm në javët e fundit, FBI-ja thotë se vazhdon të identifikojë dhe arrestojë persona të dyshuar si autorë të sulmit pothuajse çdo ditë.
Këtë javë, FBI-ja arrestoi dy burra: Reed Christensen nga Oregoni dhe Jonathan Munafo nga Nju Jorku, për sulm ndaj oficerëve të Policisë së Kapitolit që ruanin ndërtesën nga protestuesit e dhunshëm. Ndaj dy të dyshuarve janë ngritur gjashtë akuza penale, përfshirë atë për sulm ndaj një oficeri të zbatimit të ligjit dhe përfshirjen në akte dhune në një ndërtesë të kompleksit të Kapitolit.
Ndërsa agjentët e FBI-së analizojnë mijëra orë xhirime dhe prova të tjera dhe identifikojnë protestuesit e tjerë të 6 janarit, prokurorët do të ngrenë akuza ndaj të dyshuarve të tjerë, tha zoti Wiegmann.
"Shpejtësia e paparë dhe përmasat e pashembullta të përgjigjes së departamentit ndaj këtyre sulmeve janë dëshmi e angazhimit të fortë të këtij institucioni për të luftuar terrorizmin e brendshëm," u tha ai ligjvënësve amerikanë të enjten.
Sulmi i 6 janarit nuk ishte "një ngjarje e izoluar", tha zyrtari Wiegmann, duke paralajmëruar se disa ekstremistë të dhunshëm brenda vendit "mund të jenë inkurajuar nga sulmi", gjë që e deklaroi kohët e fundit edhe FBI-ja.
Jill Sanborn, shefe e antiterrorizmit pranë FBI-së, tha para ligjvënësve amerikanë se Byroja Federale e Hetimeve mbetet e shqetësuar për kërcënimin e dhunës nga ekstremizmi i brendshëm.
"Parashikojmë se ekstremistë të dhunshëm të motivuar nga urrejtja racore ose etnike, ekstremistë të dhunshëm anti-qeveritarë ose anti-autoritarë, dhe të tjerë ekstremistë të dhunshëm vendas, duke u motivuar nga shqetësimet për politika partiake do të paraqesin kërcënim më të madh gjatë 2021 dhe me gjasë edhe në 2022,” tha zonja Sanborn.
Në përgjigje të kërcënimit, tha ajo, FBI-ja shtoi vjet në masën 260% personelin e saj që përqëndrohet tek problem i terrorizmit të brendshëm.
Kjo nuk do të thotë që kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar është zvogëluar, theksoi zonja Sanborn. Në fakt, për herë të parë në dy dekada, ajo vuri në dukje se "kërcënimet nga terrorizmi i brendshëm, xhihadizmi i sektit Salafi dhe terrorizmi i sponsorizuar nga shtete të ndryshme po rriten paralelisht”.