Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, (SPAK), njoftoi sot se me kërkesë të saj, Gjykata ka vendosur sekuestrimin e pasurive të dy ish gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedjas, ish kryetar dhe Fatos Lulo, si dhe të ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi. Ndaj tyre SPAK, siç bën të ditur në njoftimin e sotëm, kishte nisur një hetim që në korrik të vitit të shkuar për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Të tre ish gjyqtarët ishin larguar nga funksionet e tyre si pasojë e procesit të rivlerësimit, dhe shkak kryesor kishte qenë pikërisht pamundësia për të justifikuar pasuritë në zotërim. Kjo është hera e parë që Drejtësia nis të veprojë ndaj ish magjistratëve që u lanë jashtë nga Vettingu.
Ish kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Dedja, i është sekuestruar një apartament “me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë”. Ish anëtarit tjetër të kësaj Gjykate, Lulo, i është sekuestruar një dyqan “me sipërfaqe 172 m2, ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë”.
Më të shumta janë pasuritë që i janë bllokuar ish gjyqtarit Selimi. Bëhet fjalë për “50 përqind të pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregëtimi, me vendodhje Shëtitore Lungomare, Vlorë; truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi dhe 55 përqind e truallit, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi”.
Sipas SPAK-ut “nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këta subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur”.
Pas njoftimit për vendimin e sekuestros ndaj pasurive të 3 ish gjyqtarëve, ambasadorja amerikane Yuri Kim shkroi në Twitter se “reforma në Drejtësi non do të jetë e shpejtë, e lehtë apo perfekte, por po ecën përpara, hap pas hapi”.
Më pas edhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian Luigi Soreca foli për një “lajm të mirë”, duke shtuar se ky është “një tjetër hap që dëshmon se SPAK po vijon me kryerjen e detyrave të veta për të luftuar korrupsionin”.