Shqipëria votoi për parlamentin e ri. Zgjedhjet mbyllen me pjesëmarrje të lartë

Në Shqipëri u mbyll votimi për parlamentin e ri të vendit. Deri në orën 18.00, sipas të dhënave të pjesshme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ka qenë në nivelin e 45.41 përqind, ku bie në sy Dibra me pjesëmarrjen më të lartë, prej 51.69, e pasuar nga Tirana me 51.42 përqind. Qarku i Vlorës, ka rregjistruar pjesëmarrjen më të ulët me 33.05 përqind.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëria voton për parlamentin e ardhshëm

Në të 5199 qendrat e votimit procesi ka nisur thuajse normalisht, ndërsa janë vënë re problematika që kryesisht lidhen me identifikimin biometrik, procesin që aplikohet për herë të parë në këto zgjedhje. Përmes aparaturave të posaçme, verifikohet karta e identitetit, ndërkohë që votuesi identifikohet edhe përmes shenjave të gishtërinjve. Një proces i cili shmang votimet e dyfishta apo që i njejti person të mund të votojë më shumë se nje herë me karta të ndryshme identiteti, qoftë dhe të falsifikuara.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëria voton - Pjesmarrje e lartë dhe identifikimi biometrik

Për herë të parë në këto zgjedhje u zbatua dhe një projekt pilot në një nga zonat e kryeqytetit, për votimin dhe numërimin elektronik.

Shqiptarët votojnë me një sistem proporcional me lista pjesërisht të hapura. Zgjedhësit përveç forcës politike, mund të zgjedhin dhe kandidatin e tyre të preferuar.

Sipas parashikimeve ligjore, fillimisht do të numërohen votat për partitë apo koalicionet, dhe më pas fletët do të rinumërohen për të përcaktuar shpërndarjen e votave për kandidatët.

Në këto zgjedhje janë regjistruar garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Procesi i votimit po ndiqet nga afër, prej 42 vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it, ndërsa 215 të tjerë, pjestarë të Asamblesë parlamentare të OSBE-së dhe asaj të Këshillit të EUropës, dhe stafe të një numri të madh ambasadash janë shpërndarë në të gjithë vendin.

Mesazhet e politikanëve:

I pari, ndër figurat shtetërore e politike, që ka votuar pak pas hapjes së procesit ka qenë Presidenti Ilir Meta.

Barazinë para ligjit na e garanton vetëm barazia e votes. Çdo qytetar i Shqipërisë, të votojë i lirë e me dinjitet, për alternativën që beson dhe në këto zgjedhje ka mundësi të votojë për kandidatin më të mirë në listën e alternativës që do të zgjedhë. I ftoj të votojnë në alternativën që ato besojnë dhe i ftoj të gjithë që te ajo alternativë që besojnë të zgjedhin kandidatët më të ndershëm, më me integritet dhe më patriotë që do të punojnë për qytetarët e Shqipërisë. Votimi nuk është një e drejtë Kushtetuese, por akt patriotik. E gjithë bota i ka sytë tek Shqipëria vetëm mbarëvajtje e mirë i këtij procesi do të thotë që Evropa do të hapë anëtarësimin. Vota të lira, qytetarët të votojnë atë që kanë në mendje e zemër”, deklaroi zoti Meta.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama e nisi ditën me një mesazh në Facebook.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, shkruajti zoti Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, foli pas votimit, duke u shprehur se “sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj. Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë

Edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve “që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do ti japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës”.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëria voton - Deklaratat e krerëve të vendit dhe politikës

Ambasadorja e SHBA , Yuri Kim, e nisi sot nga Shkodra monitorimin e votimeve që po zhvillohen sot, për të vazhduar në disa prej qyteteve të tjera të Shqipërisë. Ambasadorja Kim tha se ishte e kënaqur që po shikonte demokracinë në veprim. "SHBA, - tha ajo, - nuk mbështesin një parti politike apo një kandidat të caktuar, por mbështesin te drejtën e shqiptarëve për të votuar. Shpresoj që çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësi të votojë i lire dhe larg çdo ndërhyrje, tha ambasadorja Kim. Kjo është dita juaj", - tha ambasadorja Kim në përfundim të monitorimit të votimeve në Shkodër.