Në Shqipëri të dhënat personale të afro 900 mijë votuesve në Tiranë, kanë ranë në duart e mijëra qytetarëve. Për herë të parë për ekzistencën e një databaze me këto të dhëna foli portali Lapsi.al, i cili e konsideroi atë shkelje ligjore dhe shërbim që zyrat e shtetit po i bënin Partisë Socialiste në qeverisje, në funksion të kalkulimeve zgjedhore. Mbrojtës të lirisë së medias në vend dhe në botë, e konsiderojnë vendimin e prokurorisë se posaçme për sekuestrimin e bazës së të dhënave, në portalin Lapsi.al, me prapavijë politike dhe cënim të lirisë së shprehjes. Drejtuesi i kësaj prokurorie Arben Kraja i mohoi akuzat në një reagim për Zërin e Amerikës dhe tha se do të zbatohet vendimi i Gjykatës së Strasburgut, për pezullim të veprimeve të sekuestrimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Shqipëri mjaft përfaqësues të medias dhe opinionit publik po shprehin shqetësim për bërjen publike të të dhënave personale të afro 900 mijë qytetarëve, që dyshohet se kanë dalë nga zyrat e shtetit në shërbim të fushatës zgjedhore të PS në pushtet. Ekzistenca e këtyre të dhënave u bë e ditur për herë të parë nga portali Lapsi.al. Drejtues të tij thanë se ato siguruan nga një burim që ata nuk dëshirojnë ta identifikojnë. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar në kuadër të hetimeve kërkoi sekuestrimin e bazës së të dhënave dhe pajisjes ku ndodheshin ato, në portalin lapsi.al.
Kodi i Proçedurës Penale, në nenin 159 parashikon mbrojtjen e sekretit profesional të gazetarit, por bën përjashtim në rastin kur të dhënat që ka siguruar ai, janë të nevojshme për të vërtetuar ekzistencën e veprës penale. Në këtë rast kodi e detyron gazetarin të dëshmojë dhe të evidentojë burimin e tij. Komiteti Shqiptar i Helsinkit thotë se kjo pikë duhet ndryshuar pasi bie në kundërshtim me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut. Drejtues të tij shprehen se i kanë bërë kërkesë Kuvendit të Shqipërisë për këtë qëllim por nuk kanë marrë përgjigje.
“Kufizimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk mund të tejkalohen me ligjislacionin në fuqi. Kemi marrë shkas nga një çështje që Gjykata Europiane e ka gjykuar dhe është rasti Goodwin kundër Mbretërisë së Bashkuar, ku në mënyrë të qartë kjo gjykatë shprehet se burimi i informacionit për gazetarin është shumë i rëndësishëm dhe se pa këtë burim gazetari nuk mund të arrijë tek faktet dhe pa këto fakte nuk mund t’i japë informacion shoqërisë në mënyrë të veçantë për çështje me interes të lartë publik”, tha për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Drejtues të portalit lapsi,al shprehën shqetësim të thellë për veprimin e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që synonte sekuestrimin e databazës me të dhënat personale të votuesve në Tiranë, dhe pajisjes ku gjëndeshin ato. Ata thanë për Zërin e Amerikës, se ky është një presion ndaj medias dhe rrezikon fjalën e lirë.
“Ajo që më ka bërë përshtypje me Prokurorinë e posaçme dhe Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë këtij proçesi,është që duket sikur ata veprojnë si zgjatim i pushtetit politik, për faktin se po të shohësh hetimin që ka filluar me ne, duket sikur janë më shumë të preokupuar të gjejnë tradhëtarin brenda PS, se sa njeriun i cili ka vjedhur të dhënat e afro 1 milion qytatarëve. Dhe mendo që ishin organet e drejtësisë së re që do ngriheshin për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Unë mendoj se gazetari është i dënuar të mos e tregojë burimin”, tha për Zërin e Amerikës Andi Bushati një prej drejtuesve të Lapsi.al
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strazburg kërkoi para dy ditësh nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të pezullojë procesin për sekuestrimin e pajisjeve elektronike të Lapsi.al, derisa kjo gjykatë të marrë një vendim për këtë çështje.Vendimi u mirëprit nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias, të cilët e konsideruan si një precedent pozitiv për raportimet me interes publik në media. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Drejtori Ekzekutiv i Institutit Amerikan të Shtypit, Tom Rosenstiel, tha se sekuestrimi i dokumentave ose bazës së të dhënave për rastin në fjalë, do të ishte pothuajse i pashembullt në Shtetet e Bashkuara.
“Nga sa kam lexuar, praktikisht nuk ka pasur asnjë përpjekje për të eksploruar rrugë të tjera. Pra, kjo duket më shumë si kërcënim politik sesa një përpjekje e vërtetë për të gjetur të vërtetën. Nëse synimi ishte për të zbuluar nëse ishte kryer një krim, nëse qeveria kishte marrë informacione, nëse një parti politike kishte marrë informacione private të votuesve, ai hetim duhej zhvilluar në mënyrë të pavarur. Dhe ka shumë mënyra për ta bërë këtë. Dëshmitarët që do të thërriteshin të parët,mendoj se duhet të ishin njerëz nga ajo parti. Duhet të zbulojë nëse ajo bazë të dhënash ekzistonte dhe si ishte mbledhur ai informacion. Shkuarja në organizatën e lajmeve që nxorri në pah problemin dhe përpjekja për të sekuestruar teknologjinë e saj, duhet të ishte veprimi i fundit”, i tha Zërit të Amerikës Drejtori Ekzekutiv i Institutit Amerikan të Shtypit Tom Rosenstiel.
Në një koment më shkrim për Zërin e Amerikës po në lidhje me këtë çështje korrespondenti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve në Berlin Attila Mong tha se është e një rëndësie jetike që gazetarët të jenë në gjendje të mbrojnë burimet konfidenciale. Autoritetet në Shqipëri, u shpreh ai, duhet të garantojnë këtë të drejtë themelore për ta. Marrja në pyetje e gazetarëve, vijoi zoti Mong, si pjesë e një hetimi për rrjedhjen e informacionit, i vë ata nën një presion të panevojshëm, që siç shprehet ai,mund të ketë një efekt shumë të dëmshëm tek gazetaria.
Por në një reagim për Zërin e Amerikës Drejtuesi Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Arben Kraja hodhi poshtë çdo pretendim për ndikime politike në hetime dhe sqaroi se portalit Lapsi.al nuk i është kërkuar burimi por materiali që ata kanë publikuar, dhe nëse është e mundur sendi ku ndodhet ai, një praktikë që siç tha zoti Kraja është ndjekur në mjaft raste me media të tjera. Ai tha se prokuroria ka nisur hetimet kryesisht, është në fazën e kryerjes së veprimeve hetimore dhe se nuk ka ende asnjë të akuzuar. Drejtuesi i Prokurorisë së Posacme, sqaroi se hetimet po kryhen në çdo fushë. Ai refuzoi të japë më shumë detaje sepse siç tha i ndalohet me ligj.
Nga ana tjetër KSHH (Komiteti Shqiptar i Helsinkit) i cili ka kërkuar një hetim të plotë dhe të gjithanshëm, shpreh shqetësim se nuk ka patur transparencë nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
“Nuk mund të themi nëse efektivisht prokuroria i ka kryer të gjitha veprimet e nevojshme dhe në këtë kontekst ka një detyrim përsa i takon raportimit dhe informimit të publikut me qëllim që të themi se vërtet burimi u cënua, edhe pse në vlerësimin tonë nuk do duhej të cënohej, por nga ana tjetër u ezauruan të gjitha fazat dhe u kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të arritur tek fakti nëse kemi përgjegjës për krijimin e kësaj databaze, si u krijua ajo dhe më tej marrë hapat e mëtejshëm për të çuar çështjen në gjykatë në një proçes gjyqësor”, tha për Zërin e Amerikës Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Liria e medias është vënë në rrezik mjaft herë në Shqipëri, vitet e fundit. Ashtu siç nënvizojnë dhe raportet e organizatave prestigjoze ndërkombetare që mbrojnë të drejtat e lirisë së shprehjes, gazetarët në mjaft raste kanë qenë shënjestër e kërcënimeve të politikës dhe grupeve që mbrojnë interesa të dyshimta. Institucionet kanë bërë pak ose aspak për të forcuar rolin e medias në Shqipëri. Në këto kushte mbijetesa e fjalës së lirë, në një treg mediatik të dobët financiarisht, të ekspozuar përballë kërcënimeve të ndryshme, është jo e pamundur por e vështirë.