Rusi: Njoftime për rreth 1,500 të arrestuar në tubimet për Navalnin

Një organizatë ruse që monitoron ndalimet me motive politike tha se policia arrestoi rreth 1,500 persona të mërkurën gjatë demonstratave në të gjithë vendin ku u bë thirrje për lirimin nga burgu të udhëheqësit të opozitës Aleksei Navalni, shëndeti i të cilit po përkeqsohet.

Protesta më e madhe u zhvillua në Moskë, ku mijëra vetë marshuan në qendër të qytetit. Disa prej tyre u arrestuan përpara se të fillonin protestat, përfshirë bashkëpunëtorë kryesorë të zotit Navalni. Ekipi i udhëheqësit të opozitës bëri thirrje për demonstrata, për të cilat nuk është dhënë miratimi nga autoritetet, kjo pas njoftimesh në fundjavë se shëndeti i tij po përkeqësohet dhe se jeta e tij ndodhet në rrezik.

Organizata e zotit Navalni u bëri thirrje protestuesve në Moskë të mblidheshin në sheshin Manezh, jo shumë larg Kremlinit, por policia e bllokoi turmën. Ndërkohë një turmë e madhe njerëzisht u mblodh në Bibliotekën Shtetërore ruse që ndodhej aty pranë dhe një tjetër u vendos në rrugën Tverskaya, një nga rrugët kryesore që të çon në shesh. Të dy grupet nisën më pas të lëvizin në rrugët e qytetit.

Si mund të mos dilnim nëse një person po vritet dhe jo vetëm ai. Ka kaq shumë të burgosur politikë”, tha Nina Skvortsova, një protestuese në Moskë.

Është e paqartë nëse demonstratat ishin të po atyre përmasave dhe intensiteti sikurse protestat mbarëkombëtare që shpërthyen në janar pas arrestimit të zotit Navalni, kundërshtari kryesor i Presidentit Vladimir Putin. Vlerësimet mbi pjesëmarrjen ndryshonin shumë. Policia e Moskës tha se 6,000 vetë demonstruan në kryeqytet, ndërsa një vëzhgues tha për kanalin YouTube të zotit Navalni se bëhej fjalë për një turmë prej rreth 60,000 vetësh.

Grupi OVD-Info, i cili monitoron arrestimet politike dhe ofron këshilla ligjore, tha se u arrestuan të paktën 1,496 persona në 82 qytete, numri më i madh i arrestimeve rreth 600, ishte kryer në Shën Petersburg.

Ekspertët e OKB-së: Jeta e disidentit rus Aleksei Navalni në rrezik serioz

Ndërkohë po të mërkurën ekspertët e të drejtave të njeriut të Organizatë së Kombeve të Bashkuara thanë se jeta e udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalni ndodhet në "rrezik serioz". Ata i bënë thirrje Moskës të lejojë që zoti Navalni të marrë urgjentisht trajtim mjekësor në një vend tjetër.

"Ne i nxisim autoritetet ruse të sigurojnë që zoti Navalni të ketë qasje tek mjekët e tij e ta lejojnë atë të niset për trajtim urgjent mjekësor jashtë vendit, sikurse bënë në gusht të vitit 2020", thuhej në një deklaratë të ekspertëve.

Kritiku 44-vjeçar i Kremlinit ndodhet që prej muajit janar në një burg të sigurisë së lartë, në kushte të cilat mund të konsiderohen si tortura ndaj tij, thanë ekspertët, të cilët thanë gjithashtu se zotit Navalni i është "ndaluar mundësia për të marrë kujdesin e duhur mjekësor”.

Kremlini nuk i është përgjigjur ende komenteve së ekspertëve të OKB-së.

Tre javë më parë zoti Navalni u fut në grevë urie, rreth dy muaj pas arrestimit të tij më 17 janar pas mbërritjes në Moskë. Ai u akuzua për shkelje të lirimit me kusht pas kthimit nga Gjermania, ku ai qëndroi pesë muaj për kurim pas një helmimi në Rusi me një agjent nervor.

Shërbimi Penal i Federatës Ruse tha se zoti Navalni kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht pas një dënimi për pastrim parash në vitin 2014, të cilin udhëheqësi i opozitës ruse e ka cilësuar motivuar politikisht. Zoti Navalni ka akuzuar Presidentin rus Vladimir Putin se ka urdhëruar shërbimet ruse për ta helmuar atë, akuzë që Kremlini e ka mohuar në mënyrë të përsëritur.

Disa laboratorë evropianë kanë konfirmuar se zoti Navalni është helmuar me Novichok, një agjent nervor prodhuar nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Në fillim të këtij viti një gjykatë ruse vendosi që zoti Navalni të qëndrojë në burg, duke refuzuar apelimin e çështjes. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera Perëndimore kanë dënuar me forcë arrestimin e zotit Navalni dhe kanë kërkuar lirimin pa kushte të tij.

Burgosja e zotit Navalni shkaktoi protesta shumë të mëdha në të gjithë Rusinë. Me dhjetëra mijëra njerëz kërkuan lirimin e tij duke hedhur parrulla anti-Putin.

Sipas OVD-info, një organizatë ruse që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut të mërkurën policia arrestoi shumë mbështetës të zotit Navalni që protestuan në të gjithë Rusinë.

Ekspertët e OKB-së që lëshuan paralajmërimin mbi shëndetin e zotit Navalnit janë raportuesit specialë Irene Khan, Nils Melzer, Morris Tidball-Binz dhe Tlaleng Mofokeng.