SHBA, plan për të mbrojtur rrjetin elektrik nga sulme kibernetike

Në kushtet kur infrastruktura e rrjetit elektrik të Shteteve të Bashkuara vihet në shënjestër çdo ditë nga një numër i pashembullt sulmesh kibernetike, qeveria federale po ndërmerr masa për të parandaluar sulme të mundshme që mund ta paralizojnë rrjetin.

Departamenti i Energjisë bëri publik të martën një plan 100-ditor për të përforcuar sistemet e sigurisë për infrastrukturën elektrike të vendit dhe për të rritur aftësinë për të zbuluar dhe neutralizuar kërcënimet kibernetike.

"Shtetet e Bashkuara përballen me një kërcënim kibernetik të dokumentuar mirë dhe në rritje nga aktorët keqdashës që përpiqen të godasin energjinë elektrike tek e cila mbështeten amerikanët për të furnizuar shtëpitë dhe bizneset," tha në një deklaratë Sekretarja e Energjisë Jennifer Granholm.

"I takon qeverisë dhe industrisë të parandalojnë dëmet e mundshme dhe për këtë arsye ne po punojmë së bashku për të marrë këto masa vendimtare në mënyrë që amerikanët të mbështeten në një sistem energjie të fortë, të sigurt dhe të pastër", tha ajo.

Industria elektrike ishte mes objektivave në shënjestër të sulmeve të fundit kibernetike dhe depërtimit të të dhënave ndaj programeve të kompanive Solar Winds dhe Microsoft Exchange, por zyrtarët theksojnë se koha e bërjes publike të këtij njoftimi nuk është e lidhur drejtpërdrejt me ato ngjarje.

Qeveria amerikane ka fajësuar agjencinë ruse të zbulimit për sulmin ndaj Solar Winds. Microsoft tha se disa dobësi në programin e disa prej elementeve të saj për korporatat dhe qendrat e të dhënave qeveritare, u shfrytëzuan kryesisht nga grupi Hafnium në Kinë.

Korporata Elektrike e Amerikës së Veriut, një autoritet rregullator jo-fitimprurës që mbikëqyr shërbimet në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, tha se rreth 25 përqind e shërbimeve në rrjetin e energjisë të Amerikës së Veriut kishin shkarkuar programin SolarWinds.

"Duke patur parasysh kërcënimet e sofistikuara dhe në ndryshim të vazhdueshëm që paraqesin kundërshtarët, kompanitë elektrike të Amerikës mbeten të përqendruara në sigurimin e sistemeve të kontrollit industrial që operojnë rrjetin energjetik të Amerikës së Veriut, "tha Tom Kuhn, presidenti i Institutit Elektrik të Edisonit, i cili përfaqëson të gjitha kompanitë elektrike në pronësi të investitorëve amerikanë.

Zoti Kuhn tha se iniciativa e re tregon se "administrata e presidentit Biden po e bën sigurinë kibernetike për operacionet një përparësi kryesore.”

Njoftimi i së martës vjen pas kritikave të industrisë se financimi për sigurinë e rrjetit nuk ishte përfshirë në paketën e fundit të infrastrukturës të njoftuar nga Presidenti Joe Biden.

Plani 100-ditor përfshin "objektiva ambicioze por të realizueshme dhe do të ndihmojë pronarët dhe operatorët në modernizimin dhe mbrojtjen e sigurisë kibernetike, përfshirë aftësitë e zbulimit dhe frenimit ", tha në një deklaratë Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne.