Derek Chauvin shpallet fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd

Ish-oficeri i policisë së Mineapolisit, Derek Chauvin u shpall fajtor për vrasje në vdekjen e afrikano-amerikanit, George Floyd, një çështje që shkaktoi protesta në të gjithë botën, dhunë dhe një analizë të racizmit dhe praktikave të policisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Juria me gjashtë anëtarë të bardhë dhe gjashtë anëtarë me ngjyrë, e mori vendimin të martën pasi diskutoi rreth 10 orë gjatë dy ditëve në një qytet në ankth se mund të kishte një shpërthim tjetër trazirash.

Para gjykatës, një turmë prej disa qindra njerëzish shpërtheu në brohoritje kur u shpall vendimi.

Skena u kthye shpejt festive me makina që u binin borive, demonstrues që bllokonin trafikun dhe brohorisnin "George Floyd".

Chris Dixonit, një 41-vjeçari afrikano-amerikan nga Mineapolisi, i rridhnin lot.

"Shpresoja se do të merrnim drejtësi dhe ia dolëm," tha ai. "Jam shumë krenar për vendin ku jetoj tani."

Në sheshin George Floyd në Mineapolis, kryqëzimi ku u vra zoti Floyd të cilit më pas iu vu emri për nder të tij, njerëzit brohorisnin dhe duartrokisnin. Ai shesh ishte kthyer që atëherë në një pikë grumbullimi për protestat e drejtësisë racore.

"Drejtësia për afrikano-amerikanët është drejtësi për të gjithë Amerikën," tha avokati i familjes Floyd, Benjamin Crump.

"Ky rast është një pikë kthese në historinë amerikane për përgjegjësinë e zbatimit të ligjit dhe dërgon një mesazh të qartë që ne shpresojmë që të dëgjohet qartë në çdo qytet dhe çdo shtet."

Presidenti Joe Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris e ndoqën dhënien e vendimit së bashku me ndihmësit e tyre stafin në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Biden, zonja Harris dhe zonja e parë Jill Biden të gjithë folën në telefon me vëllain e George Floyd, Philonise Floyd nga Zyra Ovale, tha Shtëpia e Bardhë.

Më pas nënpresidentja dhe presidenti folën nga Shtëpia e Bardhë.

"Sot ne marrim frymë të lehtësuar por kjo nuk e zhduk dhimbjen. Një vendim i drejtë nuk është i barazvlefshëm me drejtësi të barabartë. Ky vendim na sjell një hap më afër, dhe fakti është që kemi akoma punë për të bërë”, tha zonja Harris duke shtuar se “ duhet të reformojmë sistemin”.

Presidenti Biden tha se racizmi sistematik “është një njollë në shpirtin e vendit tonë”.

“Vrasja e George Floyd solli një verë protestash, të cilën nuk e kishim parë që nga epoka e të drejtave civile të viteve '60. Protesta, ku njerëzit e çdo race, çdo brezi dhe në paqe, dolën të thonin 'Mjaft, mjaft, mjaft me vrasjet e pakuptimta. Vendimi i sotëm është një hap përpara", tha Presidenti Biden.

"Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, dhe vendimi i sotëm e dërgon këtë mesazh, por nuk është e mjaftueshme. Nuk mund të ndalemi këtu. Për të sjellë ndryshime dhe reforma reale, ne mund dhe duhet të bëjmë më shumë për të reduktuar gjasat që tragjedi si kjo të ndodhin përsëri”, tha presidenti.

Edhe ish-presidenti Barack Obama dhe Michelle Obama, lëshuan një deklaratë:

“Sot një juri bëri veprimin e duhur. Por drejtësia e vërtetë kërkon shumë më tepër. Michelle dhe unë i dërgojmë lutjet tona familjes Floyd dhe qëndrojmë në krah të gjithë atyre që janë të vendosur të garantojnë për çdo amerikan drejtësinë e plotë që ishte mohuar për George dhe aq shumë të tjerë”, shprehen ata.

Hap i parë drejt drejtësisë

Chauvin kishte deklaruar se ishte i pafajshëm për akuzat. Tani ai mund të përballet me 40 vjet burg.

Megjithëse sistemi i drejtësisë penale dhe juritë në Shtetet e Bashkuara prej kohësh kanë qenë tolerante dhe u kanë dhënë disa mbrojtje ligjore oficerëve të policisë që përdorin dhunë ndaj civilëve, juria në Mineapolis arriti në përfundimin se zoti Chauvin e kishte kaluar kufirin dhe kishte përdorur forcë të tepruar.

Prokurori i Përgjithshëm i Minesotës, Keith Ellison u tha gazetarëve se vendimi ishte një "hap i parë drejt drejtësisë" dhe duhet të shërbejë si një pikënisje për reformën policore që të mos ndodhin më raste të ngjashme.

"Duhet ta përdorim këtë vendim si një pikë kthese," tha ai.

Pika e takimin mes racës dhe zbatimit të ligjit ka qenë prej kohësh një temë debati në Shtetet e Bashkuara, e theksuar nga një sërë incidentesh vdekjeprurëse ku oficerë të bardhë policie kanë ushtruar dhunë ndaj njerëzve me ngjyrë në një numër qytetesh amerikane në vitet e fundit.

Vdekja e zotit Floyd shkaktoi protesta kundër racizmit dhe brutalitetit policor në shumë qytete në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera edhe kur njerëzit po përballeshin edhe me pandeminë e koronavirusit.

Të njëjtat probleme të ngritura nga vdekja e zotit Floyd u vunë përsëri në qendër të vëmendjes në komunitet kur një oficere policie që tashmë ka dhënë dorëheqjen, qëlloi për vdekje një 20-vjeçar afrikano-amerikan gjatë një ndalimi trafiku në një periferi të Mineapolisit më 11 Prill.

Argumentat përmbyllëse

Vendimi i jurisë erdhi një ditë pas argumentave përmbyllëse të hënën, në të cilat prokurorët argumentuan se ish-polici Chauvin i mori jetën George Floyd-it majin e kaluar në një mënyrë që sipas tyre edhe një fëmijë e dinte që ishte e gabuar.

Mbrojtja pretendoi se oficeri i bardhë që tani është i pushuar nga puna veproi në mënyrë të arsyeshme dhe se 46-vjeçari vdiq nga një problem me zemrën dhe përdorimi i paligjshëm i drogës.

Prokurori Steve Schleicher përmblodhi çështjen kundër 45 vjeçarit Chauvin, oficeri i bardhë i policisë i cili mbajti të bllokuar me gjurin mbi qafën e tij 46-vjeçarin Floyd, ndërsa ky i fundit gulçonte dhe tha 27 herë, sipas videove, se nuk merrte dot frymë.

"Ai ishte bllokuar nga gjuri në qafë," tha prokurori Schleicher, për 9 minuta dhe 29 sekonda.

"George Floyd nuk përbënte kërcënim për askënd," tha Schleicher. "Gjithçka duhej ishte një trajtim me njerëzi, gjë që nuk ndodhi”.

Ndërhyrja rutinë e policisë për një problem të vogël 25 majin e kaluar dhe vdekja e zotit Floyd që pasoi, kanë rezultuar në një nga gjykimet penale më të rëndësishme ndër vite në Shtetet e Bashkuara.

"Prokura nuk i ka vërtetuar argumentat e veta përtej një dyshimi të arsyeshëm", standardi ligjor për dhënien e një dënimi, përfundoi avokati mbrojtës ndërsa kërkoi nga juria që t’i hidhnin poshtë akuzat për vrasje.

Avokati i mbrojtjes tha se zoti Chauvin nuk e trajtoi keq zotin Floys, përkundrazi i tha të qetësohej dhe thirri një ekip mjekësor, megjithëse ata arritën pasi zoti Floyd kishte humbur ndjenjat.

Avokati Nelson hodhi poshtë pretendimin e prokurorëve se Chauvin e asfiksoi Floydin, duke thënë se vdekja e tij u shkaktua të paktën pjesërisht nga përdorimi i drogës dhe një problem në zemër.

Prokurori Schleicher argumentoi se Chauvin, një veteran policie për 19 vjet para se të pushohej nga puna pas vdekjes së Floydit, injoroi trajnimin e tij policor në mënyrën se si e arrestoi atë dhe përdori forcë të tepruar dhe të panevojshme ndaj tij.

Argumenti përmbyllës i zotit Schleicher zgjati 1 orë e 43 minuta, gjatë të cilave, prokurori pohoi vazhdimisht pohonte se zoti Floyd "nuk do të kishte vdekur ", nëse zoti Chauvin do të kishte ndjekur trajnimin e tij policor dhe do t'i kishte dhënë ndihmë mjekësore kur ai tha se nuk mund të merrte frymë.

"Ai keqpërdori forcën policore. Ai nuk ofroi kujdes urgjent. Ai e bëri këtë me qëllim," argumentoi prokurori Schleicher. "Ai shkeli trajnimin e tij dhe vrau një njeri."

Prokurori tha se ish-polici Chauvin ishte "indiferent me vetëdije" ndaj jetës së zotit Floyd.

Prokurori Schleicher shtroi pyetjen retorike para jurisë, "A ishte ky përdorim i autorizuar i forcës? A ishte i justifikuar? Nuk ishte."

"Kjo ishte vrasje," përfundoi ai.

Një ndërhyrje rutinë policore për një problem të vogël 25 majin e kaluar dhe vdekja e zotit Floyd që pasoi, rezultuan kështu në një nga gjykimet penale më të rëndësishme ndër vite në Shtetet e Bashkuara.