Argumentat mbyllëse në gjyqin ndaj oficerit Chauvin

Vendimi për gjyqin ndaj ish-oficerit të policisë të qytetit të Minesotës Derek Chauvin, i cili akuzohet për vrasje dhe vrasje pa paramendim për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd, është tani në duart e jurisë.

Pas tre javë dëshmish, çështja gjyqësore kundër ish-oficerit të policisë Derek Chauvin për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd është tani në duart e jurisë.

Prokurorët dhanë para jurisë argumentat përmbyllëse të hënën për ta dënuar oficerin Chauvin nën akuzat e vrasjes dhe vrasjes pa paramendim.

Your browser doesn’t support HTML5

Në pritje të vendimit të jurisë në gjyqin ndaj ish-oficerit Chauvin

"Në fund të fundit, nuk është edhe aq e komplikuar të vendosësh në lidhje me përdorimin e tepruar të forcës dhe shkakun e vdekjes, një fakt që është aq i thjeshtë, sa që edhe një fëmijë mund ta kuptojë", tha prokurori Jerry Blackwell.

Oficeri Chauvin u regjistrua në videon e celularit të një kalimtari duke mbështetur gjurin në qafën e Floyd-it për më shumë se nëntë minuta gjatë një përpjekjeje për arrestimin e tij majin e kaluar. Prokurorët argumentuan se veprimet ishin një përdorim i paarsyeshëm i forcës dhe shkaktuan vdekjen e Floyd-it.

"Përdorni llogjikën. U besoni syve tuaj. Atë që keni parë", tha prokurori Steve Schleicher.

Lexoni edhe këtë Çështja e ish-oficerit të policisë Derek Chauvin, në duart e jurisë

Avokati mbrojtës u kundërpërgjigj duke thënë se oficeri Chauvin bëri atë që do të kishte bërë çdo oficer policie në një situatë të ngjashme.

“Të gjitha rrethanat që ishin të njohura për një orifer policie në momentin kur u përdor forca, tregojnë se ajo ishte një forcë e autorizuar, megjithëse mund të ketë qënë një veprim i shëmtuar", tha avokati mbrojtës Eric Nelson.

Avokati Nelson gjithashtu kundërshtoi shkakun e vdekjes së Floyd-it dhe argumentoi se përdorimi i drogës dhe gjendja ekzistuese shëndetësore e Floyd-it luajtën rol.

"Ata thjesht duan që ju të injoroni problemet serioze shëndetësore që kishte zoti Floyd. Dështimi i ekspertëve të shtetit për të pranuar ndonjë mundësi fare të vogël, që ndonjë nga këta faktorë të ketë kontribuar në vdekjen e zotit Floyd, sfidojnë shkencën, sfidojnë llogjikën dhe arsyen", tha avokati Nelson.

Juria është izoluar nga publiku ndërsa diskuton vendimin për fatin e oficerit Chauvin. Të gjithë anëtarët e jurisë duhet të bien dakord në mënyrë që të merret një vendim.

"Edhe nëse një anëtar në juri nuk pranon të votojë, voton për pafajësi, apo thotë se nuk e sheh fajtor, çon në atë që quhet një juri e pavendosur dhe klienti nuk dënohet", thotë avokati Matt Manning.

Vdekja e Floyd-it shkaktoi protesta disa mujore në mbarë Shtetet e Bashkuara. Komunitetet po përgatiten edhe një herë pëpr trazira të mundshme pas dhënies së vendimit, që shumë amerikanë thonë se është bërë një provë simbolike për sistemin e drejtësisë të Shteteve të Bashkuara.