Të hënën në Minesota fillojnë argumentet përmbyllëse, në gjyqin e ish-policit të bardhë të akuzuar për vrasjen në maj të vitit 2020 të George Floyd-it, një afrikano-amerikan, ndërsa mbahej i arrestuar në duar të policisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn sjell më shumë hollësi rreth tensioneve që ky rast po shkakton.
Mineapolis dhe qytete tjera në Shtetet e Bashkuara po marrin masa në përgatitje të vendimit ndaj ish policit Derek Chauvin. Në disa zona, është rritur siguria ndërsa Chauvin pret të mësojë fatin e tij në rastin që nxiti protesta në të gjithë botën. Nëse denohet ai mund të vuajë shumë vite burg.
Your browser doesn’t support HTML5
“Vendimi për të cilin lutemi është që Derek Chauvin të mbahet përgjegjës për vrasjen e George Floyd-it, sepse ne besojmë se kjo jetëson premtimin amerikan për liri dhe drejtësi për të gjithë“, tha Benjamin Crump, avokat i familjes Floyd.
Dëshmitarë të thirrur nga prokurorët thanë se zoti Floyd vdiq pasi ish-polici Chauvin i mbajti gjurin në qafë afrikano-amerikanit për më shumë se nëntë minuta, duke i pamundësuar furnizimin me oksigjen. Dëshmitarët thanë se zoti Floyd gulçonte pasi nuk mbushej dot me frymë.
Mbrojtja pretendon se zoti Floyd vdiq nga goditja në zemër, e i shkaktuar nga tensioni i lartë i gjakut dhe përdorimi i drogës. Ish-polici Chauvin e arrestoi George Floydin nën dyshimin se kishte tentuar të përdorte një kartmonedhë 20 dollarëshe të falsifikuar.
Departamentet e policisë në gjithë Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pozitë të vështirë - duke u përgatirur për protesta kundër vetë policisë. Kjo vlenë sidomos për qytete si Ferguson dhe Mizuri ku kanë ndodhur vdekje të afrikano-amerikanëve pas përfshirjes së policisë.
“Jemi në situatë të vështirë. Të gjithë po përcjellim gjyqin për të parë se si zhvillohen gjërat dhe nëse shohim që Derek Chauvin nuk mbahet përgjegjës, ne mund të shohim një shpërthim zhgënjimi nëse vendimi shkon në atë drejtim”, tha Jason Armstrong, shef i policisë në qytetin Ferguson.
Zemërimi për vdekjen e zotit Floyd dhe raste tjera të ngjashme vijnë ndërsa kongresi po diskuton një projektligj për reformën policore. Propozimi, i cili ndalon disa taktika policore dhe krijon një regjistër kombëtar të sjelljes së keqe të policisë, u miratua muajin e kaluar nga Dhoma e Përfaqësuesve, pa mbështetjen e republikanëve.
Për t’u miratuar në Senat, projektligjit i duhet mbështetja e të paktën 10 senatorëve republikanë.