Raul Castro konfirmoi se po ia pason udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kubës një brezi të ri, duke i dhënë fund gjashtë dekadave drejtimi nga ai dhe vëllai i tij i madh, Fidel.
Në një fjalim në hapje të Kongresit katërditor të Partisë të premten, 89 vjeçari Castro, tha se udhëheqja e re do të përbëhej nga besnikë të partisë me dekada përvojë dhe se ata do të ishin “plot pasion dhe frymë anti-imperialiste".
Castro kishte thënë në kongresin e mëparshëm të partisë në vitin 2016 se ai do të ishte i fundit i udhëhequr nga "brezi historik" që luftoi në Sierra Maestra për të rrëzuar një diktator të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara në revolucionin e majtë të vitit 1959.
Në vitin 2018 ai ia kaloi presidencën 60 vjeçarit Miguel Diaz-Canel, i cili drejtonte degët e partisë në dy rajone përpara se të shërbente në qeveri.
Brezi i ri i udhëheqësve, që nuk erdhi si rrjedhojë e rebelimit, nuk e ka detyrën të lehtë. Kuba përballet me krizën më të rëndë ekonomike që nga shembja e Bashkimi Sovjetik, ndërsa ka shenja të padurimit në rritje, veçanërisht mes të rinjve.
Kongresi, takimi më i rëndësishëm i partisë, i mbajtur çdo pesë vjet për të rishikuar politikën dhe për të bërë ndryshime në udhëheqje, është me dyer të mbyllura, por fragmente të tij po transmetohen në televizionin shtetëror.
Vetë Castro u bë president në detyrë kur Fideli u sëmur në vitin 2006 dhe më pas, udhëheqës i partisë në vitin 2011, duke ndërmarrë një sërë reformash sociale dhe ekonomike për të hapur një nga vendet e fundit komuniste në botë, por që më pas ngecën.