Në Shqipëri do të nisë nga e para, procesi gjyqësor për ish prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, pasi ky i fundit kërkoi sot të revokohet gjykimi i shkurtuar. Zoti Llalla kërkoi zhvillimin normal të procesit në mënyrë që ai të kishte mundësinë e paraqitjes së provave të reja.
Kjo kthesë, erdhi pikërisht ndërsa pritej që ish Prokurori i Përgjithshëm të paraqiste mbrojtjen e tij, dhe gjykata të dilte më pas me një vendim. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kishte kërkuar dënimin me dy vjet burgim, që për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohej me 1 vit e 4 muaj, si dhe 5 vjet përjashtim nga funksionet publike, për ish Prokurorin e Përgjithshëm.
Lexoni edhe këtë SPAK kërkon dënim me burg për ish Kryeprokurorin LlallaZoti Llalla ishte dyshuar fillimisht për katër vepra penale, por në përfundim të hetimit. SPAK ngriti ndaj tij vetëm akuzën për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”, e konsideruar më shumti një kundravajtje penale që dënohet nga gjobë deri në 3 vjet burgim.
Zoti Llalla u largua nga detyra në përfundim të mandatit në dhjetor të vitit 2017. Pak muaj më pas, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se i kishte ndaluar atij dhe familjes së tij, hyrjen në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.