Një kafene e famshme në Nju Jork, e quajtur "Forumi i Shahut" i ka mbijetuar pandemisë. Me valën e vaksinimeve masive, njerëzit tashmë po rikthehen gradualisht tek tavolinat e shahut.
Your browser doesn’t support HTML5
Nëse e pyesni për shahun pronarin e kafenesë legjendare "Forumi i Shahut", Imad Khachan, atëherë përgatituni të flisni për orë të tëra dhe ndoshta të bëni një lojë.
Ndërsa sot kafeneja e tij është pothuajse e zbrazët, dikur, jo shumë kohë më parë, çdo tavolinë ishte e zënë.
"Pas orës 5 mbushej plot. Njerëzit vinin dhe luanin gjithë natën dhe qëndronim hapur 24 orë... Kishte 15 tavolina, pra 30 vende, plus dy përpara. Ishte si një tjetër botë!", tregon zoti Khachan.
Zoti Khachan u apasionua me shahun që në moshë të re. Ky pasion u shndërrua në karrierën e tij, kur mori hua nga të afërmit për të ringjallur një studio historike të shahut në rrugën Thompson të Nju Jorkut.
"Ky vend u hap 50 vite më parë nga një mjeshtër i madh ruso-ukrainas me origjinë greke, i quajtur Nicolas Rossolimo", thotë zoti Khachan.
I pamartuar dhe pa fëmijë, zoti Khachan iu përkushtua kafenesë të cilën e rihapi në vitin 1995. Ai arriti ta mbajë edhe gjatë 2020-tës, pasi mori vendimin të shesë në internet një pjesë të koleksioneve të çmuara të shahut.
"Francezët bënin të njëjtin gur, por me simbolin mbretëror të Francës fleur-de-lis. Gurët e Evropës Lindore dhe Rusisë kanë një sferë me ngjyrë tjetër", tregon zoti Khachan.
Me ardhjen e pranverës së këtij viti, dhe valën e parë të vaksinimeve masive, zoti Khachan ka parë më shumë njerëz të vijnë në kafenenë e tij. Dhe pas filmit "Queen's Gambit", shahu është sërish në modë - një zhvillim i mirëpritur për pronarin e kafenesë së shahut.
Më në fund, zoti Khachan shikon atë çfarë dashuron brenda kafenesë së tij - lojtarët të ulur përballë njëri-tjetrit, me gurët e shahut që trokasin qetë mbi fushë. Momentalisht me maska dhe pa shtrëngime duarsh.
"Këtu jemi unë dhe ti. Nuk të intereson se sa i pasur është tjetri. Apo nëse është nga familja Rockefeller apo Burbonët!", thotë zoti Khachan.
Ashtu si jeta, edhe shahu është një lojë kapriçoze. Për pak kohë dukej sikur zoti Khachan do të humbiste. Por tashmë ai ka arritur të shpëtojë biznesin e tij dhe ta mbajë pandeminë nën kontroll.