Një kardiolog, i cili iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës të hënën në gjyqin mbi vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë arrestit vjet në Mineapolis, dëshmoi se viktima nuk vdiq nga infarkti apo mbidoza e drogës dhe se ai do të kishte qenë gjallë nëse nuk do të kishte qenë i mbërthyer nën gjurin e policit Derek Chauvin për më shumë se nëntë minuta.
Dr. Jonathan Rich, pedagog i mjekësisë në Universitetin Northwestern, tha të hënën se nëse zoti Floyd nuk do të ishte mbajtur nën kontroll në atë formë, “mendoj se do ta kishte mbyllur ditën gjallë”.
“Mendoj se do të kishte shkuar në shtëpi apo kudo tjetër ku donte të shkonte, nëse nuk do të ishte mbajtur në atë pozicion me duar të lidhura dhe i mbërthyer përtokë,” tha Dr. Rich.
Eric Nelson, avokati mbrojtës i policit Derek Chauvin që po gjykohet nën akuzat për vrasje me qëllim dhe vrasje pa paramendim, ka ngritur argumentin se 46-vjeçari Floyd vdiq nga mbidoza e drogës dhe problemet ekzistuese të shëndetit dhe jo nga mënyra se si u arrestua nga polici Chauvin nën dyshimet se kishte paguar me një kartmonedhë të falsifikuar 20 dollarëshe.
Ish-polici Chauvin, një 45-vjeçar i bardhë ka deklaruar pafajësinë ndaj akuzave lidhur me vdekjen e zotit Floyd që u pasua nga protesta masive në mbarë SHBA dhe në qytete kryesore të botës.
Dr. Rich, i thirrur si dëshmitar për palën akuzuese, iu kundërvu argumenteve të palës mbrojtëse lidhur me shkakun e vdekjes së zotit Floyd.
“Pasi analizova të gjitha faktet dhe provat e këtij rasti, mund të deklaroj me shkallën më të lartë të sigurisë mjekësore se George Floyd nuk vdiq nga goditje kardiake dhe nuk vdiq nga mbidoza e drogës,” dëshmoi mjeku.
Kardiologu tha se nuk ka prova që çojnë në përfundimin se vdekja e zotit Floyd u shkaktua nga mbidoza, megjithëse raporti toksikologjik tregoi praninë e fentanilit dhe opioideve të tjera në sistemin e tij.
“E para, më duket se zoti Floyd, i cili dihet tashmë se kishte përdorur rregullisht opioide, ka të ngjarë të kishte zhvilluar tolerancë ndaj këtyre substancave,” tha ai.
“E dyta dhe po aq e rëndësishme është se kur analizova provat nuk pashë shenja mbidoze,” tha mjeku.
Dr. Rich tha në dëshminë e tij se policët që erdhën në skenën e ngjarjes kishin mundësi të reagonin në mënyra që mjeku i cilësoi si “shumë të mundshme” për t’i shpëtuar jetën viktimës kur ai humbi ndjenjat gjatë kohës që ishte shtrirë, i mbërthyer nën gjurin e policit.
“Në video në një moment dëgjova një nga policët duke thënë ‘Më duket se ka humbur ndjenjat’. Në këtë moment ata kishin mundësi të reagonin menjëherë për ta lëvizuar nga ai pozicion ku nuk ushqehej sa duhej me oksigjen dhe ta kthenin në shpinë që t’i zgjeroheshin përsëri mushkëritë. Kur u panë shenja të keqësimit, nëse do ta kishin shtrirë në një tjetër pozicion ka të ngjarë t’i kishin shpëtuar jetën,” tha mjeku.
Dr. Rich, specialist për transplantet e zemrës, tha se zemra e viktimës ishte pak e zmadhuar por shtoi se ai nuk kishte probleme ekzistuese kardiake, prandaj infarkti u përjashtua si shkak i vdekjes.
"Çdo indeks tregon se zoti Floyd kishte zemër shumë të fortë,” tha Dr. Rich.
Më herët të hënën, gjykatësi i distriktit Henepin, Peter Cahill hodhi poshtë kërkesën e avokatit Nelson për të mos lejuar anëtarët e jurisë të ktheheshin në banesa, pasi një polic qëlloi të dielën për vdekje një afrikano-amerikan gjatë ndalimit për shkelje të rregullores së qarkullimit rrugor.
Gjykatësi e hodhi poshtë kërkesën duke thënë se duke e izoluar jurinë mund të shtoheshin shqetësimet që kishin disa nga anëtarët e jurisë.
Por Gjykatësi Cahill tha se ka në plan të mos i lejojë anëtarët e jurisë të kthehen në banesa kur juria të fillojë procesin e diskutimit të argumenteve që kanë dëgjuar gjatë gjyqit, pas afro një jave.