Një numër i madh të miturish të pashoqëruar dhe familjesh vazhdojnë të përpiqen të kalojnë kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara me Meksikën, ku ndalohen nga patrulla amerikane e kufirit. Por çfarë i bën këta njerëz të ndërmarrin një udhëtim kaq të rrezikshëm për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara ?
15-vjeçarja Virginia Escarcastro udhëtoi e vetme nga Guatemala pa një ide të qartë se cili do të ishte destinacioni i saj përfundimtar.
"Në shtëpi isha vetëm, doja të isha me babanë", thotë ajo.
Virginia ishte mes një grupi të miturish të ndaluar nga patrulla kufitare amerikane pasi kaluan lumin Rio Grande. Ajo u ndalua në anë të një autostrade në Abram, Teksas vetëm disa kilometra nga kufiri amerikan me Meksikën.
"Është shumë e vështirë", tha ajo.
Pasi ndalohen nga roja kufitare amerikane, disa nga migrantët transferohen me autobusë tek qendrat e ndalimit. Me të mbërritur, atyre u merren të dhënat, u dëgjohet çështja dhe pastaj bëhet një përcaktim për të ardhmen e tyre.
"Udhëtimi ka qenë i vështirë për fëmijët, por falë Zotit kemi arritur mirë. Ndonjëherë rrugët janë shumë të rrezikshme", thotë Melvin Hernández që u largua nga Nikaragua më shumë se një muaj më parë me gruan dhe dy fëmijët e tij. Gruaja e tij Alexi i tha Zërit të Amerikës se familja e saj iku nga vendi për shkak të uraganit Eta.
"Ne u prekëm nga uragani. Na dëmtoi shtëpinë dhe kjo është arsyeja pse erdhëm sepse pati rrëshqitje dheu", thotë Alexi.
Familja Hernandez tani pret vendimin e zyrtarëve amerikanë nëse mund të qëndrojnë ose nëse duhet të dërgohen përsëri përtej kufirit në Meksikë.
Për shkak të rritjes alarmante të numrit të familjeve dhe të miturve të pashoqëruar që kalojnë kufirin, agjencia njoftoi hapjen e një kompleksi tjetër për të grumbulluar në mënyrë të përshpejtuar të dhënat e individëve të ndaluar në Eagle Pass, Teksas, pranë luginës së Rio Grandes.
Më shumë se 170,000 migrantë u ndaluan në kufirin jugperëndimor në mars, numri më i madh në të paktën 15 vjet.
Për shkak të prurjeve alarmante, zyrarët amerikanë kanë njoftuar hapjen e një objekti tjetër për të përshpejtuar regjistrimin e individëve që ndodhen në paraburgim.