Kosovë, fillon vaksinimi i të moshurave kundër COVID-19

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, të enjten filloi vaksinimi kundër COVID-19 i personave mbi moshën 85 vjeçare, që është edhe faza e dytë e vaksinimit pas atij të punonjësve shëndetësorë.

“Do të thotë për tri ditë radhazi ne do vaksinojmë grupmoshën mbi 85 vjeç ndërsa nga data 11 prill pastaj vazhdohet me grupmoshën që janë 80 deri 84 vjeç”, tha Niman Bardhi, menaxher i qendrës për imunizim.

Zyrtarët e ministrisë së shëndetësisë thanë se deri më sot mbi 3 mijë e 500 persona janë regjistruar për t’u vaksinuar.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosovë, fillon vaksinimi i të moshurave kundër COVID-19

Disa nga ata që po vaksinoheshin të enjten u shprehën të kënaqur që u është mundësuar një gjë e tillë.

“Vaksina besoj që ka me qenë e suksesshme edhe për atë arsye është kënaqësi e madhe që edhe ne pleqtë mu ndje si dikush që ku kujdeset. Disa nuk po i nxajnë besë injeksionit por unë i nxa besë”, tha Krist Gjonlleshaj.

“Procedurat e lehta, po të presin si njeri me trajtim të mirë dhe kjo na e lehtëson neve punën, na lehtëson shumë”, tha Skender Skenderi.

“Unë për vaksinën mendoj mirë, besoj që duhet të ketë diçka sukses megjithëse për pleqtë sukseset janë të vogla”, tha Musa Qosja.

Kosova ka vaksinat e AstraZeneca, 24 mijë doza të së cilës i mori në kuadër të programit COVAX. Pjesa tjetër e dozave të zotuara për Kosovën nga ky program pritet të mbërrijnë deri në muajin maj.

Por, sfidë mbetet sigurimi i vaksinave tjera. Qeveria e Kosovës ditë më parë ka kërkuar nga Shqipëria që të vaksinojë një pjesë të mësimdhënësve të Kosovës por në fund ka hequr dorë nga kjo kërkesë për shkak të vaksinave kineze. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se nuk mund të garantonin për këto vaksina që sipas tij janë të ndaluara në Kosovë.

“Mirëpo, fatkeqësisht në ndërkohë numri i vaksinave i Pfizzer dhe Astrazeneca janë harxhuar në Shqipëri dhe kanë ngelur vetëm vaksinat Sinovac me prodhim nga Kina dhe për arsye se në Kosovë ne edhe po të donim na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara në EMA (Agjencia Evropiane e Barnave) në këtë situatë, ne nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohet me vaksina të cilat ne nuk mund të garantojmë në fund të fundit për këto vaksina duke mos qenë të regjistruara në Kosovë pasi janë nga kompani që nuk janë të regjistruara në EMA”, tha ministri Vitia.

Kosova është vendi i fundit në rajon që ka filluar vaksinimin e qytetarëve. Deri tani ajo nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me prodhuesit e vaksinave, ndërsa autoritetet kanë hedhur poshtë çdo mundësi që të marrin vaksinat nga Rusia dhe Kina.