Të hënën prokurorët vazhduan të sillnin dëshmitarë në javën e dytë të gjyqit kundër ish-policit Derek Chauvin, i akuzuar për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd.
Shefi i policisë se Mineapolisit tha para trupit gjykues të hënën se veprimet e ish-oficerit Derek Chauvin kundër George Floyd-it nuk ishin në përputhje me rregullat e departamentit.
“Përpjekjet fillestare për ta vënë atë nën kontroll gjatë sekondave të para, janë të justifukueshme. Por kur nuk kishte më rezistencë dhe zoti Floyd kishte humbur ndjenjat dhe ishte i palëvizshëm, vazhdimi i atij niveli force mbi një person të shtrirë, të prangosur me duart pas shpinës, në asnjë mënyrë nuk është pjesë e politikave tona, nuk është pjesë e trajnimeve tona dhe sigurisht nuk është pjesë e etikës dhe vlerave tona”, tha zoti Arradondo.
Ish-polici Chauvin akuzohet për vrasjen e afrikano-amerikanit Floyd duke i mbajtur gjurin në qafë për më shumë se 9 minuta. Anëtarët e jurisë dëgjuan të hënën dëshmitë për praktikat e përdorimit të mjeteve shtrënguese të qafës.
"Rregulli i shtrëngimit të qafës thekson presionin e lehtë deri në atë të moderuar. Kur shoh shprehjet e fytyrës së zotit Floyd, nuk duket në asnjë mënyrë apo formë se kemi të bëjmë me presion të lehtë deri në atë të moderuar”, tha në dëshminë e tij shefi i policisë në Mineapolis.
Profesionistët mjekësorë thanë se zemra e zotit Floyd kishte pushuar kur ai ishte dërguar në spital. Mjeku i urgjencës ku zoti Floyd u dërgua më 25 maj 2020 tha se beson që mungesa e oksigjenit kishte shkaktuan vdekjen.
“Doktor, a ishte teoria juaj kryesore se për shkak të mungesës së oksigjenit zoti Floyd pati arrest kardiak?”, pyeti prokurori Blackwell.
“Ajo është mundësia më reale. Në atë kohë, bazuar në informacionet që kisha, ajo më dukej se kishte më shumë gjasa nga mundësitë e tjera”, u përgjigj mjeku i qendrës mjekësore në qarkun Henepin, Dr. Bradford Langenfeld.
“Doktor, a ka ndonjë emër tjetër për vdekje nga mungesa e oksigjenit?”, vazhdoi prokurori.
“Asfiksia është një term i njohur”, u përgjigj mjeku.
Avokatët mbrojtës të zotit Chauvin argumentojnë se zoti Floyd vdiq nga probleme tjera shëndetësore dhe përdorimi i drogës, duke theksuar se fentanili dhe metamfetamina ishin gjetur në trupin e tij.
"Ka shumë gjëra që shkaktojnë hipoksi, që do të konsideroheshin asfiksi, apo jo?”, pyeti avokati Nelson.
"E saktë", u përgjigj mjeku Langenfeld.
"Përdorimi i drogave të caktuara mund të shkaktojë hipoksi. Pajtoheni?”, pyet avokati.
"Po", përgjigjet mjeku.
Vdekja e zotit Floyrd nxiti protesta në mbarë botën në mbështetje të afrikano-amerikanëve, ku u vunë në pikëpyetje trajnimet dhe motivet e oficerëve të policisë.