Izrael, nis gjyqi për korrupsion ndaj kryeministrit Netanjahu

Prokurorët izraelitë akuzuan të hënën Kryeministrin Benjamin Netanjahu se ka ofruar favore në vend të parave, që në hapje të gjyqit ndaj tij, nën akuzat për korrupsion. Kjo çështje së bashku me një proces zgjedhor që nuk rezultoi me një fitues të qartë, kanë zbehur mundësitë e zotit Netanjahu për të qëndruar në detyrë.

Zoti Netanyahu i ka mohuar akuzat për ryshfet, shkelje të besimit dhe mashtrim.

Prokurorët thanë se zoti Netanjahu ishte përgjegjës për miratimin e rregulloreve që i mundësuan një kompanie marrëveshje me vlerë "disa qindra milionëshe", në shkëmbim të një mbulimi pozitiv të kryeministrit nga një portal i njohur lajmesh, nën kontrollin e kësaj kompanie.

"Marrëdhëniet mes Netanjahut dhe të pandehurve të tjerë u bënë si “monedha”, diçka që mund të tregtohej", tha prokurori Liat Ben-Ari në prezantimin e të ashtuquajturit “Rasti 4000”. "Kjo lloj monedhe ndikon në vendimet e nëpunësve publik".

Ky është gjyqi i parë penal ndaj një kryeministri në detyrë. Zoti Netanjahu përballet edhe me dy çështje të tjera. Ai thotë se është viktimë e një gjuetie shtrigash të motivuar politikisht.

Ndërkohë, Presidenti izraelit Reuven Rivlin ka nisur konsultimet me krerët e partive politike me qëllim formimin e qeverisë së ardhshme, e cila mbetet e paqartë pas zgjedhjeve të 23 marsit, të katërtat në dy vjet, që nuk i dhanë as zotit Netanyahu dhe as rivalëve të tij një fitore të qartë.

Zoti Rivlin ka thënë se në vendimin e tij do të marrë parasysh çështje etike, duke aluduar me sa duket gjyqin ndaj zotit Netanjahu.