Gjyqi ndaj ish-oficerit të policisë në Mineapolis, i cili akuzohet për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd-it pritet të përqëndrohet të hënën tek trajnimi i oficerëve në rastet e ndalimit të një personi. Java që kaloi u dominua nga dëshmitë emocionale të atyre që panë nga afër incidentin shoqëruar nga paraqitja e pamjeve të rënda filmike të arrestimit të zotit Floyd.
Ish-polici 45 vjeçar Derek Chauvin akuzohet për vrasje me paramendim të George Floyd-it, një ngjarje që ndodhi më 25 maj të vitit 2020. Ai akuzohet se i ka mbajtur gjurin në qafë 46-vjeçarit për 9 minuta 29 sekonda ndërsa ky i fundit qëndronte i shtrirë në rrugë me pranga.
Prokurorët thonë se gjuri i zotit Chauvin shkaktoi vdekjen e zotit Floyd. Por avokatët mbrojtës të ish-policit thonë se zoti Chauvin bëri atë për të cilën ishte trajnuar dhe se përdorimi i drogës nga ana e zotit Floyd e faktorë të tjerë shëndetësorë shkaktuan vdekjen e tij.
Mënyra se si zoti Floyd u trajtua nga policia gjatë arrestimit u filmua nga dëshmitarë në vendngjarje dhe nxiti protesta të cilat tronditën Mineapolisin dhe u përhapën më shpejtësi në shumë qytete të vendit. Këto pamje filmike si dhe ato të marra nga kamerat trupore të oficerëve të policisë ishin një komponent i rëndësishëm i javës së parë të gjyqit.
Gjatë javës së dytë të gjyqit pritet të dëshmojë shefi i policisë së qytetit Medaria Arradondo. Dëshmia e tij ka gjasa të ndodhë edhe sot (hënë). Zoti Arradondo, shefi i parë afro-amerikan i policisë së këtij qyteti, e shkarkoi nga detyra zotin Chauvin dhe tre oficerët e tjerë të përfshirë në incident, të nesërmen e ngjarjes. Në qershor të 2020 ai e quajti ngjarjen "vrasje".
"Vdekja tragjike e George Floyd nuk ishte për shkak të mungesës së trajnimit, tha zoti Arradondo atëhere. "Chauvin e dinte se çfarë po bënte", shtoi ai.
Pas vdekjes së zotit Floyd autoritetet e qytetit lëvizën me shpejtësi duke i ndaluar disa praktika policore. Zoti Arradondo dhe kryebashkiaku i qytetit Jacob Frey bënë gjithashtu edhe disa ndryshime të tjera siç është ajo e zgjerimit të kërkesave për raportimin e incidenteve të përdorimit të forcës dhe dokumentimin e tyre për të shmagur përshkallëzimin e situatave edhe kur forca nuk përdoret.