Në Tiranë, Organizata “Together for Life” zhvilloi një studim krahasues mbi premtimet e partive politike në sektorin e shëndetësisë gjatë fushatës zgjedhore.
Autorët e studimit thonë se partitë politike hynë në fushatë me strategji të cunguara për zhvillimin e shëndetësisë.
Your browser doesn’t support HTML5
Organizata Together for Life e kreu këtë studim mbi premtimet elektorale të partive kryesore politike në sektorin e shëndetësisë, duke patur parasysh se ai është më i rëndësishmi për t’u vëzhguar aktualisht për shkak të pandemisë Covid-19, por edhe për faktin se është një nga sektorët më shumë të ekspozuar ndaj korrupsionit në Shqipëri.
Autorët besojnë se Pandemia Covid-19 është më shumë një sfidë e sistemit qeverisës në Shqipëri sesa e sistemit shëndetësor. Shoqata “Together for Life” gjeti mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer për të realizuar një raport analizues mbi programet e gjashtë partive politike, që i kushtohen sektorit shëndetësor.
“Asnjëra nga partitë politike nuk ofron një strategji kombëtare veprimi për përballimin e situatës së pandemisë Covid-19 e cila pritet të vijojë pa një afat të caktuar. Të gjitha partitë premtojnë reforma në sistemin shëndetësor, por nuk parashikohet në asnjë rast rritja e financimit për shëndetësinë, të paktën sa vendet e rajonit në raport me Prodhimin e Brendshëm Kombëtar” - thotë Denisa Canameti, bashkautore e studimit.
Studimi vëzhgon se sa rëndësi i japin shëndetit të popullatës partitë politike, që synojnë të qeverisin vendin, çfarë programesh, strategjish apo platfomash kanë gati.
Të tre partitë e mëdha politike duket se e kanë shëndetësinë prioritet të programeve të tyre politike, duke u përqendruar në tre shtylla kryesore riorganizimin e sistemit shëndetësor, cilësinë e medikamenteve dhe investimet në shëndetin publik.
Por vetëm 2 prej tyre kanë një program publik në përgjithësi, dhe kanë publikuar prioritetet për shëndetësinë në veçanti.
“Ato parashikojnë investime në shëndetin publik dhe në zhvillimin e sistemit shëndetësor parësor, por nuk parashikohet krijimi i regjistrave të të dhënave për sëmundje jo infektive si një domosdoshmëri për statistika për planifikimet më të mira në të ardhmen në sistemin shëndetësor” - thotë zonja Canameti.
Autorët e studimit kërkojnë që secila pikë e programit për shëndetësinë të ketë edhe strategjinë e zhvillimit; se si do të arrihet reformimi, me çfarë komponentësh ligjore dhe financiare, si do të motivohet stafi mjekësor, si do të rritet numri i profesionistëve të mjekësisë, profesionistëve të specializuar në mbulimin e popullatës me shërbim mjekësor.
Ata theksuan se pikat e programit për shëndetësinë duhen shoqëruar edhe me faturë financiare për të kuptuar nëse janë parashikuar kufizimet buxhetore dhe sesa të realizueshme këto reforma mund të jenë.
Shëndeti publik kanë zënë vend kryesor në fushatën zgjedhore të këtij viti kryesisht për shkak të pandemisë Covid-19 dhe për shkak të koncencioneve shumëvjecare në këtë fushë.
Mbetet për t’u parë nëse strategjitë dhe programet e publikuara janë apo jo të zbatueshme apo do të mbeten vetëm në letër si premtime elektorale.