Muzeu i Luvrit në Paris aktualisht është i mbyllur për shkak të kufizimeve të koronavirusit. Por brenda mureve të tij gjendet një koleksion i fshehtë kryeveprash që rrallë shfaqen për publikun. Muzeu i Luvrit në Paris priste 10 milionë vizitorë në vit, në kohërat përpara pandemisë.
Tani objekti me famë botërore qëndron bosh, përveç personelit të sigurisë dhe disa punonjësve të muzeut që punojnë për rinovime. Brenda, Mona Lisa ende buzëqesh në mënyrë enigmatike mbi galeritë, dhe kryeveprat e mëdha që varen në mure.
Por këtu ka një thesar shumë më pak të njohur veprash - nëse dini ku të shikoni. Xavier Salmon është drejtori i Departamentit të Arteve Grafike të muzeut.
Është një bibliotekë që ruan vizatime, punime me pastel dhe në miniaturë, të ruajtura në kushtet e duhura për disa vite.
Që kur Luigji i 14-të i Francës filloi një fushatë blerjesh në shekullin e 17-të, Luvri ka grumbulluar një koleksion prej 250 mijë artesh grafike që datojnë nga shekulli i 9-të deri në mesin e viteve 1800.
Por ato nuk janë të ekspozuara në mënyrë të përhershme. Departamenti nxjerr për publikun vetëm disa shembuj çdo katër muaj.
"Departamenti i Arteve Grafike të Luvrit është me të vërtetë departamenti i tij më i fshehtë sepse punimet tona nuk shfaqen përgjithmonë në dhomat e muzeut. Por, kjo është një minierë e jashtëzakonshme për historinë e krijimtarisë njerëzore, sepse ne kemi bashkuar 250 mijë vepra arti në zemër të Luvrit, arte grafike - ato janë vizatime, pastel, punime në miniaturë, të cilat që nga shekulli i 9-të deri në 1850 ilustrojnë të gjithë historinë e krijimtarisë - oksidentale - në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara", thotë zoti Salmon.
Për ata që e dinë, departamenti është vendi për të parë veprën e Gaddi-t të shekullit të 14-të 'Presentation de la Vierge au Temple' (Prezantimi i Virgjëreshës së Tempullit).
"Këtu keni një vepër jashtëzakonisht të rëndësishme sepse është një nga vizatimet më të vjetra të ruajtura në botë. Një vizatim nga Taddeo Gaddi nga viti 1338, pra një vizatim i shekullit të 14. Ju e shihni se duke ndjekur Giotto-n (piktor i shekullit të 13-të), ne kemi lindjen e përdorimit të perspektivës - me temën fetare këtu, quhet "Prezantimi i Virgjëreshës së tempullit" dhe mënyra delikate, me të cilën Gaddi punoi duke përdorur pigmente të përziera me ujë dhe më pas e kaloi atë mbi letër, është plotësisht spektakolare, ashtu si edhe mënyra se si është ruajtur ky vizatim", thotë zoti Salmon.
Para pandemisë, Departamenti i Arteve Grafike mirëpriste rreth 800 njerëz çdo vit - studentë, artistë, piktorë, ekspertë dhe vizitorë të përgjithshëm.
Atyre u duhej të kishin hulumtuar paraprakisht punimet që donin të shihnin dhe më pas të caktonin një takim për të vizituar këtë dhomë të veçantë konsultimi për të parë nga afër punimet. Sigurisht, që tashmë kjo nuk është më e mundshme.
Por zoti Salmon thotë se ka mënyra se si vizitorët të bëhen gati për momentin kur kjo bibliotekë të jetë në gjendje të rihapet.
"Është jashtëzakonisht e trishtueshme që ne nuk jemi më në gjendje të mirëpresim vizitorët tanë të zakonshëm, por fatmirësisht i gjithë koleksioni gjendet në internet. Ata që duan të përgatiten për vizitën e tyre kanë kohë të shkojnë në bazën tonë të të dhënave, të shikojnë vizatimet me fotot dhe informacionin dhe pasi të kenë përgatitur udhëtimin e tyre në Paris, ata rrjedhimisht mund të vijnë këtu dhe të shohin vizatimet", thotë ai.
Zoti Salmon ka shfrytëzuar mbylljen për të riorganizuar dhe rishpërndarë vendosjen e punimeve, diçka që nuk do të ishte e mundur para pandemisë.
Është e paqartë se kur Luvri do të rihapë dyert pas masave izoluese të vendosura më 30 tetor për shkak të kufizimeve ndaj COVID-19.