Blinken: Marrëdhëniet SHBA-Kinë gjithnjë e më konfrontuese

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken thotë se sheh aspekte “gjithnjë e më konfrontuese” në marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Shefi i diplomacisë amerikane i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv CNN që u transmetua të dielën, ku shtoi se kjo marrëdhënie ka pa diskutim dimensione rivaliteti por ka edhe pista për bashkëpunim mes dy vendeve.

Të shtunën Shtetet e Bashkuara kritikuan sanksionet e Pekinit kundër dy zyrtarëve amerikanë për të drejtat fetare si dhe ndaj një ligjvënësi kanadez, të vëna pas komenteve të dy vendeve perëndimore lidhur me trajtimin e pakicës ujgure në Kinë.

Sekretari i Shtetit u pyet gjatë intervistës edhe për tubacionin e gazit natyror Nord Stream 2, në vaçanti në lidhje me masat që mund të marrë Uashingtoni për të penguar ndërtimin e kësaj strukture nga Rusia në Gjermani. Zoti Blinken tha se vendimi përfundimtar është në dorë të atyre që po përpiqen ta ndërtojnë tubacionin. Shtetet e Bashkuara, shtoi ai, thjesht duan që kundërshtitë e tyre ndaj këtij projekti të kuptohen qartë nga këto vende.