Që nga fillimi i hetimeve lidhur me sulmin e 6 janarit në Kapitol afro tre muaj më parë, autoritetet federale kanë ngritur akuza kundër afro 400 pjesëmarrësve.
Ky numër përfaqëson rreth gjysmën e 800 përkrahësve të ish-Presidentit Trump, të cilët u futën me forcë në perimetrin e sigurisë së Kngresit në përpjekje për të penguar certifikimin e fitores së demokratit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
Pas konfirmimit nga Prokurori i ri i Përgjithshëm Merrick Garland se këto hetime janë përparësia e tij kryesore, autoritetet po kryejnë atë që është cilësuar hetimi më i madh penal në historinë aamerikane, ku janë përfshirë qindra prokurorë e agjentë të FBI-së.
Akuzat variojnë nga hyrje pa leje, të ngritura ndaj afro 150 pjesëmarrësve e deri tek sulm fizik ndaj një polici. Më shumë se 100 pjesëmarrës janë akuzuar për sulm ndaj forcave të rendit.
Por akuzat më serioze janë ngritur ndaj më shumë se 30 protestuesve, anëtarë të grupeve të ekstremit të djathtë “Oath Keepers,” “Three Percenters” dhe “Proud Boys”.Këto akuza variojnë nga komplot e deri tek pengim i një procesi zyrtar. Disa pjesëmarrës kanë deklaruar fajësinë, të tjerët kanë hedhur poshtë akuzat përmes avokatëve mbrojtës.
Tani prokurorët janë përqëndruar në punën për të përgatitur argumentet për akuzën e komplotit dhe po analizojnë mundësinë për të shkuar një hap më tej, duke ngritur akuzën e pazakontë “komplot për kryengritje kundër shtetit” që shoqërohet deri me 20 vjet burgim, sipas zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të rendit.
Në një intervistë që u transmetua të dielën, prokurori federal Michael Sherwin, i cili kryesoi hetimet deri para një jave, tha për kanalin CBS se “provat po shkojnë në atë drejtim” për të bërë të mundur ngritjen e akuzave për kryengritje.
Komplot për kryengritje në ligjin federal përkufizohet si bashkëpunim i fshehtë mes dy apo më shumë individësh për të rrëzuar qeverinë federale të Shteteve të Bashkuara, për të kundërshtuar autoritetin e saj ose për të “penguar, parandaluar apo vonuar zbatimin e ligjit amerikan”.
Duke qenë se sulmi në Kapitol ishte një akt i pashembullt, prokurorët filluan të analizojnë mundësinë e ngritjes së akuzave për kryengritje thuajse që në fillim. Në janar zoti Sherwin u tha gazetarëve se do të shihen rezultatet “shumë shpejt”.
Por gjatë javëve të para të hetimit, zoti Sherwin thotë se u përqëndrua në raste që mund të provoheshin lehtë, individë të kapur në video duke shkatërruar e vandalizuar në Kapitol. Deri më 20 janar ishin bërë afro 100 arrestime, sipas zotit Sherwin.
David Gomez, agjent i FBI-së në pension, thotë se këto janë hetime komplekse sepse shumë nga këta protestues kishin ardhur nga qytete të tjera.
"Degë të agjencive të rendit që normalisht nuk do të përfshiheshin në një hetim të këtij lloji po angazhojnë agjentët e tyre për të analizuar historikun e të dyshuarve në këtë sulm,” thotë ai.
Pasi janë arrestuar thuajse të gjithë protestuesit më të dhunshëm, tani hetuesit janë përqëndruar tek anëtarë të organizatës “Oath Keepers” dhe të grupeve të tjera ekstremiste që e organizuan sulmin.
Hetuesit duan të identifikojnë ata që kanë komplotuar për të rrëzuar qeverinë, thotë Sherine Ebadi, ish-agjente speciale e FBI-së.
Hetimet për të zbuluar kush theu kordonin e sigurisë dhe kush shkatërroi e vandalizoi mjediset e Kapitolit janë me rëndësi, thotë ajo, por “hetuesit janë më të interesuar për ata që komplotuan për të rrëzuar qeverinë apo për të organizuar sulm ndaj shtetit,” thotë zonja Ebadi.
Por për të provuar këto akuza nuk do të jetë e lehtë. Prokurorët duhet të dëshmojnë se një grup individësh komplotuan me njëri-tjetrin për të rrëzuar me dhunë qeverinë.
Gjatë dekadës së fundit, Departamenti i Drejtësisë ka hetuar me sukses disa terroristë ndërkombëtarë nën akuzat për sulm për të rrëzuar qeverinë amerikane. Por nuk ka qenë e lehtë për të provuar këto akuza për terroristë të brendshëm.
Deri tani prokurorët kanë mbledhur prova për të ngritur akuza të rënda për komplot në të paktën dy raste lidhur me sulmin ndaj Kapitolit.
I pari përfshin një grup prej 10 anëtarësh të organizatës “Oath Keepers”, të përshkruar nga organizata “Anti-Defamation League” që lufton urrrejtjen si “një grumbullim ekstremistësh anti-qeveritarë të krahut të djathtë, të cilët bëjnë pjesë në lëvizje para-ushtarake”.
Grupi, i cili përfshin pesë veteranë të ushtrisë dhe një ish-polic, akuzohet se ka koordinuar dhe planifikuar sulmin përmes komunikimeve të fshehta në internet para 6 janarit. Prokurorët thonë se shtatë nga 10 të dyshuarit ishin pjesë e një formacioni të tipit ushtarak të veshur me uniforma të ngashme me ato të forcave speciale, të cilët ishin futur me forcë në ndërtesë. Ata ndeshen me një numër akuzash, ndër të cilat akuza për komplot, shkatërrim të pronës qeveritare dhe pengim të një procesi zyrtar.
Rasti i dytë ka në shenjestër katër udhëheqës nga grupi “Proud Boys”, të vetë-quajtur “shovinistë perëndimorë”, të cilët njihen për zënkat në publik me anëtarë të lëvjes majtiste të njohur si “antifa” (anti-fashiste).
Ditët e fundit, hetuesit kanë zbuluar prova të reja se ka pasur koordinim mes anëtarëve të Oath Keepers, “Proud Boys” dhe “Three Percenters,” një tjetër grup ekstremist.
Të mërkurën në dokumente të paraqitura në gjykatë, hetuesit ngritën argumentin se që nga 19 dhjetori i vitit të kaluar, Kelly Meggs, udhëheqës i kontigjentit të “Oath Keepers” në sulmin në Kapitol, diskutoi koordinimin me grupe të tjera që kishin në plan të vinin në Uashington më 6 janar.
“Këtë javë organizova një aleancë me “Oath Keepers” me “Three Percenters” nga Florida dhe me “Proud Boys”, shkruante Meggs në një mesazh në Facebook. “Kemi vendosur ta ndalim këtë gjë të ndyrë”.
Më 26 dhjetor, zoti Meggs, duke pretenduar se Presidenti Trump do të aktivizonte Ligjin e Revoltës që i jepte atij autoritetin të pezullonte zbatimin e ligjit në SHBA, i tha dikujt tjetër “prit deri më 6 janar kur të shkojmë të gjithë për kryengritje në Uashington,” sipas dokumenteve të paraqitura nga prokurorët. Tre ditë para sulmit, zoti Meggs theksoi në një mesazh që i dërgoi një personi tjetër se “aktiviteti i 6 janarit nuk do të jetë thjesht TUBIM”.
Jordan Strauss, ish-prokuror federal tha se dokumentet e paraqitura në gjykatë lënë në kuptohet se po përgatitet terreni për të akuzuar disa nga të pandehurit për kryengritje për rrëzimin e qeverisë.
“Kanë dëshmi të komunikimeve, kanë bashkërendim, të cilat u pasuan nga veprime që duken si akte të koordinuara dhune për të mos i lejuar Kongresit të kryejë detyrën e tij kushtetuese,” thotë zoti Strauss.
Gjatë javëve të fundit, prokurorët kanë filluar të analizojnë rolin e udhëheqësit dhe themeluesit të organizatës “Oath Keepers”, Stewart Rhodes në sulmin e 6 janarit.
Në dokumentet e paraqitura të mërkurën, prokurorët sjellin dëshmi se zoti Rhodes, i identifikuar në materiale si “Personi Një” zhvilloi një bisedë telefonike prej 97 sekondash me zotin Meggs, i cili kryesoi ekipin që shkoi nga kjo organizatë në Kapitol, pak para se turma të futej me dhunë në ndërtesë.
Pak minuta pas telefonatës së orës 14:22, zoti Rhodes shkroi përmes shërbimit të inkriptuar Signal “Forca e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri tek hoteli. Presin sinjalin,” dhe sipas prokurorëve mesazhi përfshinte një fotografi të pjesës jugore të Kapitolit me fjalët “Te Kapitoli. Patriotët po tundin portat”.
Prokurorët thonë se këto mesazhe dëshmojnë se kishte një komplot të qartë për të penguar certifikimin e fitores së zotit Biden.
Ndaj zotit Rhodes nuk janë ngritur akuza dhe ai ka hedhur poshtë çdo fajësi për shkelje apo akte penale.
Por prokurorët mund të arrijnë në përfundimin se nuk kanë prova të mjaftueshme për të provuar akuzën për komplot për rrëzimin e qeverisë, thotë Michael Jensen, studiues mbi terrorizmin në Universitetin e Merilandit.
“Prokurorët mund të vendosin se kanë prova të mjaftueshme për t’i shpallur këta individë fajtorë për sulm dhe krime të tjera dhe mund ta lënë me kaq. Por vështirë ta dimë në këtë moment,” thotë zoti Jensen.