Që nga çaktivizimi i programit të imigracionit të administratës së ish-Presidentit Trump, mijëra azilkërkues kanë mundur të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza nga qyteti El Paso në Teksas, mijëra migrantë të tjerë kanë mbërritur në kufi me shpresën për një jetë më të mirë në Shtetet e Bashkuara.
José Raúl Estrada Zabala, i cili jeton në një kamp në Cuidad Juarez, është në pritje për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.
“Jam në pritje të rastit tim dhe do të bëhet ashtu si don Zoti. Jam një nga ata që kam zgjedhur të mos kaloj kufirin ilegalisht, sepse dua të jem në Shtetet e Bashkuara dhe të kem leje pune”, thotë migranti nga Hondurasi.
Çështja e tij dhe e qindra të tjerëve tani po trajtohen ndryshe pasi Presidenti Biden anuloi programin e administratës së kaluar për t’i mbajtur migrantët në Meksikë. Emily Mendrala punon në Zyrën për Hemisferën Perëndimore në Departamentin e Shtetit.
“Kjo qasje njeh nevojën për të trajtuar shkaqet kryesore të migracionit në një mënyrë gjithpërfshirëse. Ajo ndryshon mënyrën e pranimit të azilkërkuesve.”
Që nga shkurti, rreth dy mijë njerëz që ishin bllokuar nga çaktivizimi i programit, kanë qënë në gjendje të futen në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave zyrtare nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin.
Ndërkohë po shtohet numri i kalimeve të parregullta të kufirit jugor amerikan. Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe roja e kufirit njoftoi se gjatë shkurtit ishin kapur afro 100 mijë njerëz, shumë prej të cilëve të mitur të pashoqëruar. Demokrati Henry Cullear është përfaqësues i Teksasit në Kongresin amerikan.
“Këto shifra janë më të lartat që kemi parë ndonjëherë. Jam i shqetësuar sepse këto shifra më bëjnë të besoj se do të gjendemi përballë një krize, kryesisht gjatë pandemisë.”
Deri tani, administrata e Presidentit Biden ka respektuar Nenin 42, një urdhër shëndetësor i vitit të kaluar si rezultat i pandemisë, i cili ndalon hyrjen në Shtetet e Bashkuara. Por në Laredo të Teksasit, distrikti që përfaqëson ligjvënësi Cuellar, banorët janë të shqetësuar nga fluksi i migrantëve.
“Në zonën tonë u kapën 10 mijë njerëz brenda shtatë ditëve, 2,500 vetëm në dy ditë. Shifrat po shtohen dhe ajo që i shqetëson njerëzit është roja kufitare që kontrollon njerëzit për koronavirus”, thotë ligjvënësi Cuellar.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë këmbëngulin se kufiri është i mbyllur për të zvogëluar numrin e migrantëve që rrezikojnë jetët në këtë rrugëtim, kryesisht fëmijët.
Administrata Biden po ashtu po rifillon një program për ribashkimin e të miturve me anëtarë të familjes në Shtetet e Bashkuara, që u ndërpre nga ish-Presidenti Trump. Marta Youth punon në Zyrën e Popullsisë, Refugjatëve dhe Migracionit në Departamentin e Shtetit.
“Tani lejohen njerëzit që të kenë një mënyrë ligjore për të arritur në Shtetet e Bashkuara përmes programit për të miturit. Në verë ne do të pranojmë aplikime të reja. Pra njerëzit të kenë atë për të cilën është përqendruar administrata, një rrugë të sigurtë, ligjore, të organizuar dhe humane për të ardhur në Shtetet e Bashkuara.”
Të gjitha këto ndryshime janë një zhvendosje e dukshme nga politikat e imigracionit të administratës së mëparshme të Presidentit Trump.