Projekti për Gazin Natyror të Lëngshëm në Shqipëri mund të fillojë në vitin 2023

  • Keida Kostreci

Presidenti i kompanisë amerikane që synon futjen e Gazit të Lëngshëm Natyror (GNL) në Shqipëri, thotë se ky burim energjie do të plotësonte nevojat për energji në vend dhe do ta kthente atë në një pikë për eksportin e tij në vende të tjera të Ballkanit.

Steven Kobos, president dhe shef ekzekutiv i kompanisë Excelerate Energy me bazë në Teksas, tha për Zërin e Amerikës se deri në tremujorin e tretë të këtij viti, pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për projektin dhe puna pritet të fillojë në vitin 2023.

Your browser doesn’t support HTML5

Projekti për Gazin Natyror të Lëngshëm në Shqipëri mund të fillojë në vitin 2023

Në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar këtë muaj mes Shqipërisë dhe kompanive amerikane ExxonMobil dhe Excelerate Energy parashikohet që termocentrali i Vlorës të konvertohet me gaz, si dhe do të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të tij.

Sipas zotit Kobos ndërtimi i këtij impianti me gaz natyror do t’u përgjigjej mungesave të energjisë elektrike në Shqipëri, e cila varet ne pjesën dërrmuese nga kushtet e motit.

Ai tha gjithashtu se kjo është zgjidhja e duhur për të përdorur energji të pastër.

Kompania Excelerate Energy ka përvojë në shpërndarjen e Gazit Natyror të Lëngshëm me terminale lundruese dhe ofron shërbime të integruara për gjithë procesin, që nga zhvillimi i infrastrukturës deri tek furnizimi me gaz.

Excelerate ka zyra në Abu Dabi, Buenos Aires, Daka, Doha, Dubai, Rio de Zhaneiro, Salem, Singapore, Çitagong dhe Washington, DC.

Zëri i Amerikës: Zoti Kobos, ExxonMobil dhe Excelerate nënshkruan një memorandum me Shqipërinë për të bërë një studim fizibiliteti në lidhje me një projekt të mundshëm zhvillimi për Gaz Natyror të Lëngshëm (GNL). Çfarë përfshin ky projekt?

Steven Kobos: Për sa i përket studimit të fizibilitetit, ne kështu e fillojmë çdo projekt, duke studiuar sfidat inxhinierike, vend-ndodhjen, aspektin ekonomik etj. Kështu që në bazë të Memorandumit, ne do të studiojmë dhe analizojmë nëse ka një potencial për Gaz Natyror të Lëngshëm si burim energjie, që natyrisht do të përfshijë zhvillimin e një terminali për importin e GNL-së. Po ashtu edhe përshtatjen e termocentralit ekzistues të Vlorës ose zgjerimin e tij në mënyrë që të funksionojë me gaz. Ky është një element kritik. Dhe përveç kësaj, të identifikojmë mënyrën më të mirë për ta përdorur atë bazë për të zgjeruar shpërndarjen e GNL-së nga ai terminal importi si në Shqipëri, edhe më tej në rajonin e Ballkanit. Pra këtë do të bëjmë, do të analizojmë aspektin inxhinierik, koston, mundësinë për të investuar kapital etj.

Zëri i Amerikës: Cili është afati kohor për këtë studim dhe për projektin dhe cilat janë disa nga fazat kryesore?

Steven Kobos: Kjo është pjesa ku ne duam të jemi shumë të saktë. Duhet të studiojmë siç duhet anën inxhinierike, matjet dhe koston. Unë parashikoj që t’ia dorëzoj Ministrisë (së Infrastrukturës) analizën në tremujorin e tretë të këtij viti, 2021. Dhe duke u nisur nga përvoja e punës e kompanisë Excelerate në gjithë botën, mendoj se projekti për GNL-në mund të fillojë në vitin 2023.

Zëri i Amerikës: Çfarë kapaciteti do të ketë terminali i importit?

Steven Kobos: Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është që ne do t’i marrim masat për zgjidhjen më të mirë. Nuk ka asnjë problem për të përmbushur çdo lloj kërkese. Disa nga terminalet tona lundruese përpunojnë (mbajnë) 28 milionë metra kub gaz të lëngshëm në ditë, në disa nga tregjet me kërkesat më të larta. Disa janë më të vogla por do të shohim se cila është zgjidhja optimale, në mënyrë që energjia të jetë e përballueshme. Por i gjithë ky program duhet të jetë i përballueshëm dhe këtu është avantazhi i terminaleve lundruese, siç janë shumica e terminaleve tona të importit në të gjithë botën, që e ulin koston në mënyrë masive. Kjo të lë kohë që të hidhet në treg më me shpejtësi, që projekti të përmbyllet më shpejt. Ne gjithmonë orientohemi nga pyetja se cila është zgjidhja e duhur.

Nëse kërkesa për Ballkanin është më e vogël, ne nuk do të ofrojmë një zgjidhje si për Brazilin për shembull. Kështu që ne do të shohim një zgjidhje me përmasa të përshtatshme për rajonin.

Por ne mund të përmbushim çdo lloj nevoje, deri tek më e madhja. Të gjitha palët duhet të fitojnë.

Zëri i Amerikës: Çfarë do të ofrojë ky projekt për Shqipërinë?

Steven Kobos: Vlora u zgjodh nga ministria, por për mua ka kuptim si vend ankorimi. Por le të flasim fillimisht se çfarë po përpiqemi të sigurojmë për Shqipërinë me GNL-në? Shqipëria është një vend unik përsa i takon burimeve të larmishme të energjisë. Në gjithë botën po bëhen përpjekje për të hequr dorë nga karboni dhe qymyri. Dhe Shqipëria është e veçantë me këtë përqendrim të gjenerimit të energjisë së ripërtëritshme, përmes hidroenergjisë sa saj. Është diçka e mrekullueshme. Shumë vende do të dëshironin të kishin atë nivel prodhimi të energjisë së ripërtëritshme ndërsa shkojmë drejt dekarbonizimit.

Nga përvoja jonë në botë kemi arritur në përfundimin se Gazi Natyror i Lëngshëm është i përkryer për këtë lloj kombinimi burimesh. E shohim edhe në Brazil ku ka shumë hidrocentrale. Ka një farë varësie tek stinët, me mungesa furnizimi të mjaftueshëm kur ka thatësira. Dhe mbi të gjitha me prodhimin e energjisë, ke nevojë për vazhdimësi dhe qëndrueshmëri, si edhe për kosto të përballueshme. GNL do të ndihmojë në këtë drejtim dhe do të thoja se është një plotësues i përsosur për burimet e ripërtëritshme, pasi sasia e tij mund të rritet dhe të ulet në varësi të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Kjo do ta lejojë Shqipërinë të plotësojë nevojat e saj në momente kur luhatja e natyrshme e energjisë së ripërtëritshme është ndoshta e pamjaftueshme për nevojat e brendshme të Shqipërisë dhe njëkohësisht të bëhet eksportues i energjisë në vendet përreth.

Studimi do të analizojë se në cilat tregje do të depërtojmë dhe cili është mekanizmi më i mirë për të arritur në tregje të ndryshme? Por mendoj se është diçka për të cilën të gjithë në Shqipëri mund të krenohen pasi do të krijojë qëndrueshmëri më të madhe tek energjia e ripërtëritshme dhe së dyti do të luajë rol për zëvendësimin e qymyrit në vendet fqinje.

Më duhet të theksoj këtu, se këtë bën Gazi Natyror i Lëngshëm, ne zëvendësojmë qymyrin dhe nëse bota synon të përmbushë qëllimet e saj për të ulur sasinë e karbonit, objektivat e Marrëveshjes së Parisit, etj, ne do të duhet të ngadalësojmë shtimin e projekteve të mëtejshme të qymyrit dhe të zhvendosim projektet ekzistuese të qymyrit.

Zëri i Amerikës: Kur i merrni këto vendime dhe hyni në këto marrëveshje, a merrni parasysh gjithashtu se cila është situata në përgjithësi në vend?

Steven Kobos: Ne investojmë në tregjet ku shërbejmë. Dhe sigurisht, nga të gjitha vendet, që ne shërbejmë, kemi interes të jemi në një treg të mirë. Dhe zakonisht kjo nënkupton respektimin e shtetit ligjor, nënkupton qëndrueshmërinë.

Padyshim që Shqipëria është një vend shumë pro-amerikan dhe kjo na jep qetësi, që të dimë që ka këto vlera dhe kjo zakonisht do të thotë që është një vend, ku nuk jemi të shqetësuar për të investuar.

Zëri i Amerikës: Ju thatë se keni kapacitetin që të furnizoni me çfarëdo lloj sasie që të jetë e nevojshme. A jeni në gjendje të thoni në këtë moment se sa mund të jetë kjo sasi?

Steven Kobos: Kjo është diçka që do ta vlerësojnë inxhinierët dhe teknikët tanë. Nuk mund ta them. Jemi vetëm në fillim.

Zëri i Amerikës: Dhe Gazi Natyror i Lëngshëm do të shkojë me cisterna? A mendoni se do të jetë në gjendje porti i Vlorës ta akomodojë një gjë të tillë?

Steven Kobos: Do ta studiojmë. Mund t'ju them se në projektet tona ekzistuese ne kemi për shembull platforma, si në Boston, ku terminali është 20 kilometra larg bregut nga ku e transportojmë (në tokë) me një tubacion nënujor. Në Argjentinë kemi një terminal 40 kilometra përgjatë lumit. Gjëja më e mirë për një platfotmë lundruese është se realizon çka është më e mira për të gjitha palët. Dhe me siguri që mund të gjejmë një sistem shpërndarjeje të përshtatshëm, qoftë në det të hapur, qoftë pranë bregut, apo ndonjë zgjidhje tjetër.

Zëri i Amerikës: Në memorandum thuhet gjithashtu se një nga përfitimet e drejtpërdrejta për Shqipërinë do të jetë konvertimi i termocentralit të Vlorës në Gaz Natyror të Lëngshëm. Të pakën ky është një nga objektivat e Shqipërisë. A do të jetë pjesë e studimit të fizibilitetit se sa gaz do të konsumojë termocentrali?

Steven Kobos: Këto janë pyetje të rëndësishme. Ne do t’i shqyrtojmë ato si pjesë e studimit. Por meqë studimi nuk ka filluar, për fat të keq nuk mund të hyj në detaje. Ajo që mund t’ju them është se jemi të kënaqur të punojmë së bashku me ExxonMobil për të zhvilluar zgjidhje të besueshme dhe të përballueshme për energjinë në Shqipëri. Forma e saktë, a do të jetë modifikim i kapacitetit ekzistues të termocentralit të Vlorës apo një zgjerim i tij, si do të funksionojë me elementë të tjerë, nuk jam në gjendje ta them ende.

Zëri i Amerikës: Dhe a jeni në gjendje të na thoni se sa do të investohet dhe cili do të jetë plani për investimin?

Steven Kobos: Kjo është e lidhur me atë që studimi i fizibilitetit do të përcaktojë si strukturën optimale. Secili prej terminaleve në botë është i ndryshëm, mund të jenë të vendosur në det, në breg, sa gaz do të shpërndajnë, të gjitha këto bëjnë pjesë në përcaktimin e kostos. Por mund t'ju them, ne jemi të interesuar të investojmë në Shqipër kështu që do të jemi shumë të vëmendshëm që të gjejmë zgjidhjen më të mirë dhe të funksionojë për të mirën ekonomike të vendit.

Arsyeja që jemi entuziastë që fillojmë studimin e fizibilitetit është pikërisht që të marrim këto përgjigje që do të përcaktojë vendimet për investimet. Ne do ta bëjmë këtë me shpejtësi. Mendoj se pas gjashtë muajsh pak a shumë, do të jemi në një pozitë më të mirë për të vlerësuar alternativat.

Zëri i Amerikës: Pse zgjodhët Shqipërinë? U nisët duke pasur parasysh vendin vetë apo rajonin?

Steven Kobos: Duhet të shohësh detajet e çdo tregu dhe ne jemi në të gjitha llojet e tregjeve nga Shtetet e Bashkuara siç përmenda në Boston, në Bangladesh, Pakistan Brazil Argjentinë, Abu Dhabi Dubai, ne u shërbejmë të gjitha llojeve të tregjeve.

Ne shohim se ç’ka kuptim për tregun dhe pritshmëria ime në këtë rast është që edhe vendi, edhe rajoni kanë rëndësi. Është e rëndësishme që të ketë burime shtesë për siguri energjie, për ato që nuk plotësojnë hidrocentralet, ta bësh të besueshëm, të eliminosh nevojën për import etj. Kjo është e vlefshme në vetvete. Por përveç kësaj, kur mendon se në ç’mënyrë do të shpërndahet, duhet të shohësh tërësinë e tregut si brenda territorit ashtu edhe jashtë tij. Kështu që unë shpresoj dhe mendoj se kjo do të ishte një përfitim për Shqipërinë, përsa i takon eskportit.

Zëri i Amerikës: Si lindi ky partneritet për të sjellë Gazin Natyror të Lëngshëm dhe që të bashkëpunojnë Shqipëria, Exxon dhe Excelerate?

Steven Kobos: Kemi disa kohë që diskutojmë. Mendoj se ambasada e Shteteve të Bashkuara luajti një rol të dobishëm në organizimin e disa diskutimeve. Mendoj se ambasadorja Kim ka qenë një mbështetëse e këtij projekti që e ka vlerën tek krijimi i një sigurie të furnizimeve dhe tek zëvendësimi i qymyrit, çka do të thotë për klimën. Kështu që mendoj se ka qenë një përpjekje bashkëpunuese. Ajo që mund t'ju them është se jemi mirënjohës që punojmë me të gjitha palët e interesuara në projekt. Excelerate mez pret të sjellë aftësitë e veta në këtë grup.

Zëri i Amerikës: Vendi më i madh në Ballkanin Perëndimor, Serbia merr furnizime me energji nga Rusia. A është një nga synimet e këtij diversifikimi përmes terminalit tuaj edhe që të sigurojë aq energji sa të konkurrojë me Rusinë në lidhje me të paktën pjesë të tregut në rajon?

Steven Kobos: Vërtet nuk kam përgjigje, sepse kjo ka të bëjë me detajet dhe se deri ku shtrihen këto sisteme. Unë do t’u bëja jehonë komenteve të Ambasadores Kim në ceremoninë e nënshkrimit se kjo është diçka e mirë për Evropën. Kjo do të thotë që të sigurosh burime të ndryshme të energjisë në një vend evropian dhe kjo është pozitive për të gjithë, që të kenë larmi furnizimi dhe mundësi. Se ku mund të ketë mbivendosje të sistemeve specifike, sinqerisht nuk e kam parë deri në ato detaje të anës inxhinierike që të mund të përgjigjem.