Shqipëri: Pandemia, ulen vdekjet, por shtohen infektimet e reja

Vdekjet nga Covid-19 u përgjysmuan të dielën krahasuar me të shtunën, por infektimet shënuan një rritje të konsiderueshme, ndërsa epidemia është shtrirë në gjithë vendin.

Drejtuesit e shëndetësisë njoftuan se në 24 orët e fundit nga Covid-19 humbën jetën 4 pacientë kundrejt 11 qytetarë që humbën jetën të shtunën.

Ndërsa infektimet e reja ditore u shtuan nga 519 në 659 të dielën. Gjatë javës u vu re një tendencë e ndryshme nga fundjava: u shënua një rritje e vdekje dhe ulje e infektimeve të reja.

Qytetet me më shumë të infektuar janë Tirana, Fieri dhe Berati dhe më pak Durrësi, Elbasani e Gjirokastra.

Në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po mjekohen 392 pacientë, 25 në terapi intensive, nga të cilët 9 pacientë të intubuar.

Gjatë të dielës u kryen 1 mijë e 685 vaksinime anti-Covid, ndërsa gjithsej janë kryer 46 mijë e 515 vaksinime për personelin shëndetësor, të moshuarit dhe mësuesit.

Nga fillimi i pandemisë një vit më parë kanë humbur jetën nga Covid 2 mijë e 137 qytetarë, 121 mijë 200 infektime, nga të cilat afro 34 mijë janë ende active dhe në një shtrirje të gjerë në territor.