Ligjvënësit amerikanë po përpiqen të gjejnë zgjidhje ndaj një numri në rritje migrantësh në moshë të mitur, të cilët kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Meksika, të pashoqëruar nga prindërit. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Katherine Gypson raporton lidhur me shqetësimet që ka krijuar kjo çështje.
Your browser doesn’t support HTML5
Pranë kufirit SHBA-Meksikë, ndodhen të paktën dyzet fëmijë që mbahen të ndaluar në çadra. Ata janë vetëm disa prej rreth 4,200 të miturve të pashoqëruar, që kanë mbingarkuar autoritetet amerikane në javët e fundit, çka ka bërë që administrata Biden të hidhet në mbrojtje lidhur me situatën.
“Ne nuk i dëbuam ata siç bëri administrata Trump. Ne i morëm ata dhe i vendosëm nën kujdesin e Shërbimeve Shëndetësore e Humane, derisa t'i vemë nën kujdestarinë e prindërve", thotë Alejandro Mayorkas, Sekretar mbi Sigurisë Kombëtare.
Rritja së fundmi e numrit të migrantëve në kufirin amerikan mund të jetë shkaktuar pjesërisht nga një perceptim se nën administratën e re të Presidentit Biden, Shtetet e Bashkuara janë më mirëpritëse ndaj azilkërkuesve.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave po ndërhyn për të ndihmuar.
“Ky është një nga hapat që presidenti mendoi se do të ndihmonte, jo si një zgjidhje përfundimtare, por që do të ndihmonte në përshpejtimin e procesit të shqyrtimit të kërkesave për azil. Do të ndihmonte për të garantuar që njerëzit që po vijnë nga përtej kufirit, të kenë qasje tek kujdesi shëndetësor. Është e qartë se shifrat janë jashtëzakonisht të mëdha. Kjo është një sfidë e madhe”, thotë Jen Psaki, sekretare për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë.
Disa nga republikanët që kanë vizituar kufirin thonë se Presidenti Biden e ka përkeqësuar problemin. Disa prej tyre pretendojnë se politikat e tij po lejojnë futjen në Shtetet e Bashkuara të të dyshuarve si terroristë.
"Shëndeti i këtij vendi, siguria e amerikanëve dhe kufiri ynë janë detyra të presidentit", thotë Kevin McCarthy, Udhëheqësi i Pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.
Një zgjidhje afatgjatë lidhur me debatin e kahershëm mbi imigracionin do të jetë edhe më e vështirë për t'u gjetur.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve pritet të miratojnë këtë javë dy projektligje që do të mbronin nga deportimi punonjësit e fermave dhe emigrantët padokumenta të sjellë në SHBA në moshë të mitur. Këto janë vetëm dy pjesë të vogla të reformës së imigracionit të Presidentit Biden, miratimi i të cilave do të siguronte status ligjor për shumicën e 11 milionë emigrantëve që jetojnë me frikën e deportimit.
"Do të modernizojë sistemin tonë, do të ofrojë një rrugë drejt marrjes se shtetësisë për punëtorët e zellshëm të komuniteteve tona, bashkimin e familjeve dhe rritjen e mundësive për imigrim të ligjshëm", thotë Senatori demokrat Bob Menendez.
Por legjislacioni gjithëpërfshirës nuk ka mundësi të kalojë në Senat, ku demokratët gëzojnë një shumicë të ngushtë ndërsa pjesa dërrmuese e republikanëve e refuzojnë duke e parë si amnisti ndaj emigrantëve padokumente.
"Ka pjesë që lidhen me emigracionin që mund të kalojnë me mbështetjen e të dyja palëve dhe DACA (programi që garanton mbrojtje për ata që janë sjellë në moshë të mitur në SHBA) është sigurisht në krye të listës. Ka pasur mbështetje të gjerë dypalëshe për Ëndërrimtarët. Çështjet më të ndërlikuara janë ato që lidhen me sigurinë në kufi dhe një rrugë drejt shtetësisë për ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara prej një periudhe të konsiderueshme kohore”, thotë Norm Ornstein, i Institutit “American Enterprize”.
Udhëheqësit e Senatit thotë se dy projektligjet e Dhomës së Përfaqësuesve do të votohen në muajin prill.