Rusia përdor diplomacinë në shpërndarjen e vaksinës Sputnik V në botë

Ndërsa Kremlini nënshkruan marrëveshje për të dërguar vaksinën e saj Sputnik V në vendet që luftojnë koronavirusin, Rusia po përdor këto përpjekje si mjete diplomatike. Megjithatë kjo fushatë globale po ndodh në një kohë kur qeveria po përballet me vështirësi për të vaksinuar popullatën brenda vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes njofton nga Moska.

Në betejën globale kundër COVID 19, Sputnik V i Rusisë është shfaqur si një nga alternativat kryesore midis vendeve që përpiqen të sigurojnë vaksina.

Your browser doesn’t support HTML5

Rusia përdor diplomacinë në shpërndarjen e vaksinës Sputnik V në botë

Prodhuesi i saj po bën një fushatë intensive në mediat sociale.

"Sot është një fitore e madhe. Një fitore jo vetëm për Rusinë, por për të gjithë botën ndërsa po luftojmë pandeminë dhe ne po festojmë fitoren tonë", thotë në një video Kirill Dmitriev, shef ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte.

Sputnik V duket se i ka sfiduar skeptikët e hershëm.

Një studim i fundit i pavarur tregoi se vaksina ka mbi 90% efikasitet.

Është një triumf për diplomacinë ruse, thonë disa vëzhgues, për sa kohë që Kremlini nuk e përzien me gjeopolitikën.

"Kur mesazhi është 'kjo është një arritje sepse po mposhtim Pfizerin dhe Modernën', kjo nuk e ndihmon imazhin e Rusisë. Pra për njerëzit është e rëndësishme të bëjnë vaksinën, jo që Rusia të mundë Shtetet e Bashkuara"’, thotë profesori Konstantin Sonin i Universitetit rus të Ekonomisë.

Diplomacia e vaksinave e Rusisë ka qenë veçanërisht e dukshme në Amerikën Latine, ku Rusia ka premtuar me shumë bujë miliona doza.

Fakti që këto marrëveshje vijnë ndërsa prodhuesit amerikanë të barnave po hasin vështirësi të përmbushin kuotat e tyre të eksportit në rajon, e shton rëndësinë gjeopolitike, thonë ekspertët.

"Amerika Latine është e rëndësishme për politikën e jashtme ruse si përsa i përket qasjes në tregje të rëndësishme, edhe për zgjerimin e aleancave politike mes një konfrontimi më të madh me vendet e perëndimit ", thotë Dmitry Rozental i Akademisë Ruse të Shkencave.

Nuk është plotësisht e qartë nëse premtimet e Rusisë për botën dëmtojnë nevojat brenda vendit.

Vaksinat janë gjerësisht të disponueshme në Moskë. Por shpërndarja në zona më të largëta është më e vështirë.

Në Novosibirsk, qendra kryesore urbane në Siberi, banorët krenohen me stoicitetin e tyre, të zhvilluar edhe nga një klimë e ftohtë dhe e egër.

Megjithatë, punonjësit lokalë të kujdesit shëndetësor thonë se mes një pandemie vdekjeprurëse, përpjekja për vaksinimin masiv në zonë nuk ka qenë shumë efektive.

"Numri i atyre që duan të vaksinohen është më i madh se sa sasia që mund t'u sigurojmë. Kështu që njerëzit do të duhet të presin”, thotë Tatiana Ivleva, kryespecialiste për Vaksinat në Novosibirsk.

Por skepticizmi i publikut mund të jetë problemi më i madh.

Një sondazh i fundit arrin në përfundimin se gati dy të tretat e rusëve refuzojnë të marrin vaksinën Sputnik V. Analistët thonë se ky është një reflektim i ekspozimit të tepruar ndaj mediave shtetërore që prej vitesh përhap teori konspiracioni.

"Arsyeja kryesore është se qeveria po përhapte mosbesim në shumë drejtime”, thotë Ilya Yablokov, analist mediash.

Ironia është se kur bëhet fjalë për Sputnik V, gënjeshtrat e së kaluarës kanë hedhur dyshim mbi arritjet shkencore shumë të vërteta..

.dhe kjo mund të bëjë që rusët të mos vlerësojnë vaksinën si diçka realisht pozitive.