Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa anuloi të hënën të gjitha votat për subjektet politike të komunitetit boshnjak, që janë hedhur në komunat me shumicë serbe në Kosovë; Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Novobërdë, ndërsa pjesërisht edhe në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit; Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan.
Vendimi pasoi ankesën e përfaqësuesve të komuniteteve pakicë jo serbe që kërkuan anulimin e votave të hedhura nga votuesit serb për parti të caktuara të komunitetit boshnjak dhe atij rom në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.
Në ankesën e dorëzuar të premten nga përfaqësuesit e pesë partive politike nga komunitetet pakicë, pretendohet se partia boshnjake “Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq” dhe partia “Iniciativa Rome” kanë siguruar ulëse në parlamentin 120 vendesh me ndihmën e Listës Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës e cila mbështetet nga Beogradi.
Paneli anuloi edhe një pjesë të votave për subjektin politik të komunitetit rom, “Iniciativa Rome”, në disa nga komunat me shumicë serbe.
Në arsyetimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa me vendimin e të cilit u anuluan mijëra vota për subjektet boshnjake thuhet se “votat e përgjithshme të partive boshnjake shënuan rritje prej 49 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Një rritje e tillë enorme e votës së përgjithshme boshnjake erdhi për një arsye të vetme ku si asnjëherë më parë mijëra votues të komunitetit serb në Kosovë votuan për përfaqësuesit boshnjak, përderisa në zgjedhjet e vitit 2019 përfaqësuesit boshnjak kishin arritur që të fitonin bashkërisht në komunat serbe vetëm 195 vota. Rritja e tillë e votës për përfaqësuesit boshnjak nuk ishte votë e krijuar spontanisht dhe në mënyrë natyrale nga komuniteti serb, në fakt ajo ishte votë tërësisht e manipuluar dhe dirigjuar nga faktorë të tjerë”, thuhet në arsyetim.
Sipas panelit “për herë të parë në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, subjekte të caktuara, si në këtë rast, ‘Komuniteti i Bashkuar – Adrijana Hoxhiq’ dhe koalicioni ‘Vakat’, kanë marrë shumicën e votave nga komuniteti serb, gjë që në këtë rast paraqet devijim të vullnetit të votuesit të komunitetit boshnjak, e krejt kjo në thelb paraqet minim të procesit zgjedhor, por edhe të integritetit të këtij procesi”, thuhet në arsyetim duke nënvizuar se vendet e rezervuara janë garanci kushtetuese të cilat Kosova i ka marr për trajtimin e pakicave.
Vëzhgues të pavarur kanë tërhequr vërejtjen se e drejta e votës është e pakufizuar, por sipas panelit “tendenca për krijimin e praktikave të tilla të votimit masiv nga pjesëtarët e njërit komunitet për subjektin e komunitetit tjetër, paraqet praktikë të rrezikshme e cila në të ardhmen do të mund të shfrytëzohej nga komuniteti shumicë për t’ua pamundësuar të drejtën e përfaqësimit në mënyrë objektive komuniteteve tjera pakicë”.
Lexoni edhe këtë Kosovë: Komunitetet joserbe dorëzojnë ankesë për rezultatin e zgjedhjevePartitë politike të pakënaqura nga vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tashmë kanë afat 24 orësh për t’u ankuar në Gjykatën e Lartë të Kosovës, e cila duhet të marr në vendim brenda 72 orësh.
Adrijana Hoxhiq paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Lartë.
Njohës të çështjeve të drejtësisë mirëpritën vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke nënvizuar se në këtë mënyrë mund të ruhet funksionimi i rregullt kushtetues dhe ligjor i vendit.