Premtimi i kohëve të fundit i kompanisë “General Motors” për të prodhuar vetëm automjete elektrike deri në vitin 2035, me përjashtim të kamionëve të rëndë, pritet të shërbejë si nxitje e madhe drejt largimi nga përdorimi i naftës dhe benzinës si burime energjie në industrinë e automobilëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Mike O’Sullivan njofton për këtë prirje globale, siç e quajnë analistët.
Your browser doesn’t support HTML5
General Motors ka një synim ambicioz që, pas 14 vjetësh të prodhojë vetëm makina elektrike, përfshi SUV dhe kamionë të vegjël dhe pesë vite më vonë të bëhet një kompani që eliminon ndotjen nga karboni. Mary Barra është shefja ekzekutive e gjigandit General Motors.
‘Vizioni ynë për të ardhmen është një botë pa aksidente, pa ndotje dhe trafik.”
Kjo do të thotë ulje e varësisë nga karburantet fosile dhe zvogëlim i ndotjeve nga dioksidi i karbonit që po ngrohin planetin.
General Motors hyri në vitin 2010 në tregun e gjelbër me makinën hibride me benzinë dhe bateri Chevy Volt.
Por në vitin 2019 GM doli në krah të administratës Trump për të luftuar standardet e rrepta të ndotjes të miratura nga Kalifornia dhe të ndjekura nga 12 shtete të tjera. Nën administratën Biden, trajektorja po zhvendoset, thotë profesori i biznesit Martin Zimmerman i cili ka qënë kryeekonomist dhe nënpresident i grupit Ford.
“Po shohim një ripozicionim të General Motors dhe sigurisht që po e përshtat politikën dhe vizionin e saj në përputhje me synimet e administratës Biden.”
Industria ka ecur në të njëjtin drejtim por me hapa të ngadaltë. Kompania Tesla ka provuar se makinat elektrike mund të tërheqin konsumatorët. Analistët thonë se tregu amerikan mbetet i vogël.
Tyson Jominy është zyrtar i lartë në kompaninë J.D. Power.
“Tregu i makinave elektrike aktualisht është vetëm 2%. Tregu i makinave elektrike në Evropë tremujorin e fundit arriti në 10%”.
Në Kinë makinat elektrike zënë më shumë se 5% të tregut. Por në Norvegji, ato zënë më shumë se 50%.
Amerikanëve u pëlqejnë makinat e mëdha të cilat harxhojnë shumë karburant, dhe sjellin fitime të larta për prodhuesit. Bruce Belezowski punon për kompaninë hulumtuese “Automotive Futures Group”.
“Vitin e shkuar, 70% e automjeteve të shitura ishin makina të larta ose kamionë. Që të shiten, makinat elektrike duhet të prodhojnë këto lloj tipesh.”
Por sfida është se fitimet do të jenë të vogla në prodhimin e kamionëve dhe makinave të larta. Megjithatë, GM do të nxjerrë në shitje këtë vit një SUV elektrike të tipit Hummer dhe do të zgjerojë ofertat deri në fund të dekadës. Problem tjetër është edhe çmimi i lartë i baterive, thotë Tuyson Jomony i firmës J. D. Power.
“Ekziston një prirje që kosotoja e baterisë është duke u ulur me shpejtësi. Sikurse kemi parë me kompaninë Tesla, po rritet edhe kilometrazhi që përshkohet me një karikim të baterisë.”
Stacionet e karikimit janë të pakta, kryesisht kur flitet për udhëtime të gjata. Një studim nga J.D. Power tregon se kjo është shqetësuese për pronarët e makinave elektrike.
“Ka gjasa që do të duhet ndihma e qeverisë për të kapërcyer këtë problem. Konsumatorët nuk do të blejnë makina elektrike nëse nuk ka kudo stacione për rimbushjen e baterive. Nga ana tjetër, njerëzit nuk duan të investojnë në stacione karikimi nëse nuk ka automjete elektrike të mjaftueshme”, thotë profesori Martin Zimmerman.
Stimuj qeveritarë, rritja e kërkesës, përmirësimi i teknologjisë, përhapja e infrastrukturës dhe rënia e çmimit, janë të gjitha këto pjesë e ekuacionit para se makinat elektrike të mund të dominojnë tregun.