Zyra e inspektorit të përgjithshëm në Departamentin e Transportit i kërkoi Departamentit të Drejtësisë në fund të vitit 2020 të hapte hetime penale për zonjën Elaine Chao kur ajo ishte sekretare e tranportit për administratën Trump, siç mësohet nga një raport që u bë publik të mërkurën.
Raporti thotë se në dhjetor, zyra e etikës e Departamentit të Drejtësisë nuk pranoi të merrte përsipër këtë çështje për ndjekje penale, edhe pse inspektori i përgjithshëm i departamentit të Transportit arriti në përfundimin se zonja Chao kishte përdorur stafin dhe zyrën për nevoja personale dhe për të reklamuar kompaninë e transportit në pronësi të babait dhe motrave të saj. Kjo kompani bën biznes të gjerë me Kinën.
“Ishte me vend të hapej një hetim zyrtar për shpërdorim detyre,” tha zëvendës inspektori Mitch Behm përmes një letre në adresë të ligjvënësve.
Zonja Chao, bashkëshortja e udhëheqësit të republikanëve në Senat, Mitch McConnell, dha dorëheqjen nga posti në fillim të vitit, kur po afronte fundi i mandatit të Presidentit Trump, duke përmedur si arsye mospajtimin me ngjarjet që shoqëruan sulmin e dhunshëm të 6 janarit në Kapitol.
Zonja Chao këmbëngul se nuk ka bërë shkelje. Ajo nuk dha përgjigje specifike ndaj raportit të publikuar të mërkurën, por paraqiti një deklaratë të shtatorit 2020 ku argumentonte se promovimi i familjes së saj ishte pjesë e pranueshme e detyrave të saj zyrtare në departament.
“Pala aziatike reagon pozitivisht ndaj veprimeve të një sekretareje, në aktivitete ku përfshihet edhe babai i saj nëse është e përshtatshme,” thoshte deklarata e saj.
Raporti i një grupi të pavarur që vëzhgon për shkelje në qeveri citoi disa raste që ngrinin pikëpyetje etike. Në një prej tyre, zonja Chao kishte udhëzuar të emëruar politikë në departament të kontaktonin Departamentin e Sigurisë Kombëtare për të kontrolluar personalisht statusin e punës për një student që kishte ardhur me bursë nga fondacioni i familjes së saj.
Zonja Chao kishte bërë gjithashtu plane të shumta për një udhëtim zyrtar në Kinë në nëntor 2017, para se ta anulonte udhëtimin. Në plane përfshiheshin ndalesa në vende që ishin mbështetur nga biznesi i familjes së saj, Grupi Foremost me seli në Nju Jork. Sipas emaileve të departamentit, zonja Chao kishte udhëzuar stafin të përfshinin të afërm të saj në aktivitete zyrtare dhe në takime të nivelit të lartë jashtë vendit.
“Mbi të gjitha duhet të kënaqim sekretaren,” i shkruante një punonjës një kolegu të tij lidhur me babain e zonjës Chao. “Nëse Dr. Chao është e kënaqur, do t’i kemi punët në rregull”.
Raporti arrin në përfundimin se zonja Chao kishte udhëzuar zyrën e marrëdhënieve me publikun në depaertamentin e Transportit të ndihmonte babain e saj për të reklamuar librin e tij biografik dhe të redaktonte faqen e portalit Wikipedia që fliste për të. Po ashtu ajo kishte dërguar një punonjës të departamentit të riparonte një artikull të të atit.
Raporti i zyrës së inspektorit thoshte se zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë nuk kishin pranuar të hapnin një hetim penal, duke thënë se “këto mund të jenë çështje etike dhe/ose administrative” por nuk ka prova që mbështesin hapjen e një hetimi penal.
Si rezultat, zyra e inspektorit të përgjithshëm tha në raport se po e mbyllte hetimin e saj “pasi nuk ka interesim nga prokurorët” e Departamentit të Drejtësisë.
Ligjvënësi demokrat Peter DeFazio, kryetar i Komisionit për Transportin në Dhomën e Përfaqësuesve, i cili kishte kërkuar zhvillimin e hetimeve, shprehu zhgënjim se nuk u zhvillua një proces hetimor gjatë kohës që zonja Chao ishte në detyrë.
“Punonjësit e sektorit publik, sidomos ata që janë në krye të institucioneve me dhjetëra mijëra punonjës qeveritarë, duhet ta dinë se punojnë për publikun dhe jo për interesat e biznesit të familjes,” tha ai.