Powell: Inflacioni do të rritet përkohësisht në muajt e ardhshëm

FILE - Chairman of the Federal Reserve Jerome Powell.

UASHINGTON (AP) - Kreu i Rezervës Federale Jerome Powell tha të enjten se inflacioni do të rritet në muajt e ardhshëm, por ka të ngjarë të jetë një rritje e përkohshme dhe jo aq sa të kërkojë që banka qëndrore amerikane të ndryshojë politikat e saj me norma të ulta interesi, në nivel rekord.

Zoti Powell tha gjithashtu se parashikimi për ekonominë është përmirësuar pas tre muajsh rritje të dobët të papunësisë. Por ai paralajmëroi se ekonomia dhe tregu i punës janë ende larg nga rimëkëmbja e plotë dhe se punësimi nuk do të mund të jetë këtë vit aty ku ishte para pandemisë.

Zoti Powell nuk dha asnjë sinjal se Rezerva Federale mund të përgjigjej shpejt ndaj rritjes së normave të interesit të letrave me vlerë për të ndryshuar politikat e saj të blerjes së bonove të Thesarit.

"Ne mendojmë se qëndrimi ynë aktual është i përshtatshëm," tha zoti Powell.

Ndërsa ekonomia rihapet në muajt e ardhshëm me vaksinat që po shpërndahen më gjerësisht, shumë ekonomistë presin një rritje të shpejtë të shpenzimeve që do të çojë në tendosje të furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve të disponueshme. Këto shpenzime shtesë mund të rrisin çmimet në disa sektorë të ekonomisë.

Kjo mund të sjellë rritje të përkohshme të inflacionit. Por Rezerva Federale nuk e sheh këtë si një rritje shqetësuese që do ta detyronte atë të ndryshonte politikat, tha zoti Powell.

Kur pandemia u intensifikua gati një vit më parë, Rezerva Federale e vendosi normën e saj të interesit afatshkurtër në gati zero dhe filloi të blinte 120 miliardë dollarë bono thesari dhe bonde të huave në muaj. Rezerva Federale ka sinjalizuar më parë se synon ta mbajë normën e saj pranë zeros deri të paktën në vitin 2023. Shumë analistë mendojnë se blerjet e bonove nuk do të ulen deri vitin e ardhshëm.