Armenia përballet me tensione politike dhe plagët e luftës 

Armenian Prime Minister Nikol Pashinyan addresses his supporters during a gathering in Republic Square in Yerevan, Armenia February 25, 2021. Stepan Poghosyan/Photolure via REUTERS

Në kryeqytetin e Armenisë, Jerevan, janë zhvilluar tubime masive. Një pjesë e demonstruesve mbështesin Kryeministrin Nikol Pashinyan, ndërsa pjesa tjetër kërkojnë dorëheqjen e tij. Zoti Pashinyan po kritikohet për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në nëntor, në bazë të së cilës Azerbajxhani rimori kontrollin e rajonit Nagorno-Karabakh.

Armenia vazhdon të varrosë ushtarët e saj. Ata u vranë në një luftë me Azerbajxhanin vitin e kaluar që përfundoi me mundjen e Armenisë dhe humbjen e kontrollit mbi pjesën më të madhe të Nagorno-Karabakhut. Vendi është zhytur në krizë.

Your browser doesn’t support HTML5

Armenia përballet me tensione politike dhe plagët e luftës

"Jemi në një krizë humanitare pasi kemi mijëra refugjatë dhe të zhvendosur... jemi edhe në një krizë politike pasi të gjitha partitë, do të thoja partitë parlamentare dhe ato jashtë parlamentit, kërkojnë dorëheqjen e kësaj qeverie", thotë Edmon Marukyan, i Partisë Liberale.

Presioni në rrugë për dorëheqjen e Kryeministrit Nikol Pashinyan shihet çdo ditë. Analistët thonë se rrezikon të destabilizojë vendin, në veçanti pasi udhëheqja ushtarake mbështeti publikisht protestuesit.

Por vendi është i përçarë. Edhe mbështetësit e kryeministrit dalin në rrugë për të refuzuar një ndërhyrje të mundshme nga forcat e armatosura që thonë se kjo nuk i shërben demokracisë.

"Mendoj se publiku armen në përgjithësi është i pjekur mjaftueshëm për të kuptuar se turbullirat dhe zgjidhjet jokushtetuese nuk do t'i bëjnë mirë këtij vendi. Mendoj se mund t'i zgjidhim gjërat nëpërmjet zgjedhjeve", thotë Sos Avetsyian, nga koalicioni qeverisës.

Tensioni në rrugë dhe pakënaqësia sociale është shenjë e polarizimit të thellë, që disa thonë se është kultivuar nga Rusia. Disa segmente të shoqërisë kanë arritur madje të bëjnë thirrje për një aneksim të Armenisë nga Rusia.

"Duam dorëheqjen e qeverisë dhe një ribashkim me Rusinë. Kjo është e vetmja mënyrë për të dalë nga situata aktuale. Asnjë vend tjetër në botë nuk erdhi të na ndihmojë gjatë luftës", thotë veterani Armen Mirtoyan, anëtar i lëvizjes "Armenia e fortë me Rusinë".

Lëshimet e Jerevanit në rajonin Nagorno-Karabakh e kanë zhytur Armeninë në krizën më të rëndë politike që nga viti 1991 dhe kanë ndryshuar hartën gjeopolitike të Kaukazit, një rajon historikisht i paqëndrueshëm.