Presidenti Joe Biden nënshkroi të mërkurën një urdhër ekzekutiv për rishikimin brenda 100 ditëve nga qeveria të disa sistemeve të furnizimit nga jashtë dhe problemeve me të cilat përballen disa industri kryesore amerikane. Këto industri përfshijnë mikroprocesorët, bateritë e automjeteve elektrike, lëndët e para farmaceutike dhe mineralet e rëndësishme që përdoren në elektronikë.
Pas muajve të parë të pandemisë, në SHBA u vunë re mungesa të pajisjeve personale mbrojtëse, si maskat dhe dorezat.
Your browser doesn’t support HTML5
Po kështu, sot, prodhuesit amerikanë të makinave e kanë të vështirë të gjejnë mikroprocesorë për të mbajtur në punë linjat e montimit. Këto janë ndër çështjet që Presidenti Joe Biden synon të zgjidhë me urdhrin e tij ekzekutiv për një rishikim nga qeveria të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe problemeve me të cilat përballet vendi në furnizimin e industrive kryesore me materiale të tilla si bateritë e automjeteve elektrike, gjysmëpërçuesit, apo mineralet e rëndësishme që përdoren në elektronikë dhe farmaceutikë.
"Një rishikim i tillë do të çojë në rekomandimin e politikave për të forcuar zinxhirët e furnizimit në çdo hap, dhe për të filluar menjëherë zbatimin e këtyre rekomandimeve," tha Presidenti Biden.
Urdhri ekzekutiv kërkon gjithashtu rishikimin çdo vit të furnizimeve në sektorin e mbrojtjes, shëndetin publik, transportin, energjinë, teknologjinë e informacionit dhe prodhimin e ushqimit. Rishikimi mund të ndihmojë kompanitë amerikane të investojnë në mënyrë strategjike dhe të fitojnë më shumë elasticitet gjatë një krize.
"Çelësi është, që kur ndodhin ndryshime dramatike dhe të shpejta, industritë të mund të parashikojnë më mirë dhe t’i shohin operacionet e funksionimit në tërësinë e tyre,” thotë eksperti Scott Miller.
Urdhri ekzekutiv nuk përmend ndonjë vend në veçanti, por SHBA varen sidomos nga Kina në shumë industri të rëndësishme dhe për disa minerale të rralla, të nevojshme për prodhime që shtrihen nga elektronika e konsumit tek pajisjet ushtarake.
"Nuk është një situatë e favorshme. Megjithatë, të thuash se vemendja është vetëm te Kina, kjo më duket dritëshkurtër. Mendoj se në fakt kjo politikë ka të bëjë me tablonë e gjerë të prodhimit industrial të Amerikës, pra nuk është vetëm Kina,” thotë ekspertja Nada Sanders.
Edhe administrata Trump bëri përpjekje për të zgjidhur problemin e zinxhirëve të furnizimit, kryesisht përmes uljes së taksave, për të inkurajuar firmat amerikane të prodhonin në vend si dhe me anë të tarifave të importit. Strategjia e Presidentit Biden është e ndryshme, thotë Sameera Fazili, zv / drejtoreshë e Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.
“Përgjigja për këto dobësi nuk është gjithmonë tek rritja e prodhimit të brendshëm,” tha ajo.
Të mërkurën, Presidenti Biden dhe Nënpresidentja Kamala Harris u takuan gjithashtu me disa ligjvënës, për të siguruar mbështetje dypalëshe për sa i përket garantimit të zinxhirëve të furnizimit.