Kupchan: Procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet ndërprerë

  • Keida Kostreci

Charles Kupchan, studiues në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, i tha në një intervistë Zërit të Amerikës, se procesi i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë. Zoti Kupchan thotë se si Albin Kurti edhe Aleksandar Vuçiç duhet të jenë të përgatitur që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë t’u thonë se është koha të rikthehen (në negociata) dhe të bëjmë përparim në marrëdhëniet politike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kupchan, zgjedhjet në Kosovë u zhvilluan të dielën dhe kryetari i partisë fituese, Albin Kurti tha se negociatat me Serbinë nuk do të ishin një përparësi. Bashkimi Evropian dhe Uashingtoni, kanë thënë se negociatat me Serbinë janë të rëndësishme dhe Presidenti Biden ka thënë se ato duhet të mbështeten tek parimi i njohjes së ndërsjellë. Si e shihni ecurinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur parasysh këto qëndrime të ndryshme ?

Charles Kupchan: Siguria evropiane dhe Ballkani, janë të rëndësishme për Presidentin Biden. Ai ka shkuar shpesh në rajon. Jo shumë kohë para se të largohej nga detyra si nënpresident, ai udhëtoi në Beograd dhe Prishtinë në përpjekje për të përmirësuar dialogun mes tyre. Pra presidenti i ri amerikan do të jetë i angazhuar në sigurinë evropiane, dhe në veçanti në Ballkan, ndryshe nga Presidenti Trump dhe unë mendoj se ky është përgjithësisht një lajm i mirë. Mendoj se ai do të bashkëpunojë më ngushtë me Bashkimin Evropian. Mendoj se do të shohim koordinim mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së për të avancuar dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Administrata e zotit Biden ka komunikuar si me qeverinë serbe edhe me qeverinë e ardhshme të Kosovës, për t’i nxitur që të vazhdojnë përpjekjet, të ndërtojnë një marrëdhënie më të mirë mbi bazën e njohjes reciproke.

Zoti Kurti duket se e sheh mandatin e tij si më shumë se kaq, për t’u përqendruar tek programi i brendshëm, lufta kundër korrupsionit, rindërtimi i ekonomisë, reformat politike dhe ekonomike.

Dhe e gjithë kjo është e arsyeshme sepse ka shumë punë për të bërë, i duhet të bëjë përparim.

Por unë mendoj se është e rëndësishme që të mos ndërpritet procesi, që të vazhdojë dialogun me Beogradin pjesërisht për të zgjeruar përparimin që arriti administrata e ish-PresidentitTrump.

Marrëveshja për normalizimin ekonomik është e rëndësishme, por është vetëm një hap i parë. Dhe ne e dimë nga raste të tjera qoftë në Bosnjë- Hercegovinë apo Izrael-Palestinë apo mes Kinës dhe Japonisë, se kontaktet tregëtare, ato të investimeve, nuk e arrijnë synimin.

Ato nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një marrëdhënie të fortë politike. Kështu që ka ende shumë punë e vështirë për të bërë. Dhe unë mendoj se kjo është arsyeja që administrata e zotit Biden komunikoi që herët, për t'u përçuar udhëheqësve të dy vendeve mesazhin për të vazhduar përpara.

Zëri i Amerikës: Serbia e tha qartë pasi mori letrën nga Presidenti Biden për njohje reciproke, se nuk ka ndryshuar qëndrim, nuk do ta njohë Kosovën. Dhe në Kosovë, kryeministri i pritshëm thotë se negociatat me Serbinë nuk janë një përparësi. Ku shkojmë nga këtu?

Charles Kupchan: Mendoj se jemi ende herët dhe administrata e re Biden ka qenë në detyrë vetëm për disa javë. Është me të vërtetë fillimi i një epoke të re. Në fakt mendoj se si Beogradi, edhe Prishtina po përpiqen të mbajnë një qëndrim demonstrativ, ku të dyja palët thonë se do të kenë një qëndrim të ashpër, nuk do të ndryshojnë mendje dhe nuk do të bëjnë asnjë lëshim. Një qëndrim i tillë zakonisht luan mirë politikisht.

Nga ana tjetër mendoj se do të ketë një nxitje. Mendoj se ka disa çështje të rëndësishme të pazgjidhura në Gadishullin Ballkanik dhe njëra prej tyre është normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës, po ashtu si të ndihmohet Bosnje-Hercegovina të lëvizë në drejtimin e duhur.

Është shënuar edhe përparim. Unë mendoj se zgjidhja e emrit të Maqedonisë së Veriut dhe përmirësimi i marrëdhënies së saj me Greqinë ishte një çështje e madhe. Ajo e çon rajonin në drejtimin e duhur.

Kështu mendoj se do të ketë presion nga Evropa dhe nga Uashingtoni për të ecur përpara.

Mendoj se si Kurti edhe Vuçiç duhet të jenë të përgatitur që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre evropianë t’u thonë se është koha të rikthehen (në negociata) dhe të bëjmë përparim në marrëdhëniet politike.

Zëri i Amerikës: A i shihni këto pozicione fillestare nga zoti Kurti si pasqyrim i shprehjes që fushata bëhet në poezi dhe qeverisja në prozë dhe ndoshta ai e ndryshon tonin më vonë?

Është e vështirë të thuash. Është ende herët. Kur Kurti ishte kryeministër një vit më parë, ai u pa si dikush që nuk ishte aq entuziast për dialogun me Beogradin, sa ç’do të kishin qenë udhëheqës të tjerë të mundshëm. Kështu që mendoj se duhet të presim dhe të shohim. Por do të ketë gjithashtu edhe një kombinim të propozimit të përfitimeve dhe kërkesave. Unë mendoj se joshja për t'u futur në Bashkimin Evropian është një shtysë e fuqishme. Është diçka e madhe. Dhe mendoj se kur Serbia të mendojë për të ardhmen e saj, ajo është më e ndritshme nëse është anëtare e Bashkimit Evropian. E njëjta gjë vlen për Kosovën, kështu që ne e dimë se ku do të përfundojë kjo histori, pra që Gadishulli Ballkanik me kalimin e kohës do të bëhet pjesë e hapësirës Euro-Atlantike.

Por unë mendoj se do të ketë edhe kërkesa. Kjo do të thotë që si evropianët edhe amerikanët do t'ia bëjnë të qartë Serbisë dhe Kosovës se marrëdhëniet e tyre me institucionet perëndimore dhe me demokracitë kryesore perëndimore, nuk do të jenë aq të mira sa mund të ishin nëse ata nuk i marrin seriozisht negociatat për njohjen reciproke dhe normalizimin.

Vuçiçit do t’i duhet të marrë disa vendime të vështira. Homologëve të tij në Kosovë, qoftë Kurti apo dikush tjetër, do t’i duhet të marrin disa vendime të vështira.

Por kjo është rruga përpara.

Zëri i Amerikës: Por situata ka qenë e njëjtë për shumë vite dhe pak përparim është arritur në këtë drejtim. Çfarë stimujsh shtesë mund të ketë që rezultati të jetë i ndryshëm?

Charles Kupchan: Unë mendoj se normalizimi për çështjet ekonomike ishte një hap i rëndësishëm. Marrëdhëniet që kanë qenë konfliktuale për një kohë të gjatë nuk zgjidhen brenda ditës. Duhen vite, në mos dekada.

Kështu që jemi akoma në mes të kësaj historie. Do të duhet një farë presioni nga jashtë, nuk ka diskutim për këtë sidomos duke pasur parasysh politikën e vështirë të brendshme për këtë çështje, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Pra, a mendoj se do të ketë njohje reciproke në të ardhmen e afërt? A mendoj se jemi në prag të një arritjeje? Jo. Por a po shkojmë në drejtimin e duhur? A po ndërmarrim hapa që në fund të fundit do të çojnë në njohjen reciproke? Po, besoj se po.

Mendoj se një faktor tjetër që luan rol këtu është që rusët dhe kinezët përfitojnë gjithashtu nga paqëndrueshmëria dhe ndarja në Gadishullin Ballkanik, ata shfrytëzojnë paqëndrueshmërinë dhe ndarjen, rusët në veçanti, dhe mendoj se kjo do t’i shtyjë edhe më shumë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të përpiqen ta orientojnë rajonin në drejtimin e duhur dhe ta ankorojmë atë më fort tek institucionet euro-Atlantike.

Zëri i Amerikës: Që kur administrata e re e zotit Biden ka marrë detyrën, ka pasur një theks më të madh tek një qasje më tradicionale tek aleancat dhe kthimi në atë lloj politike të jashtme me autoritet moral për sa i përket ndikimit në këtë rajon në përgjithësi. A do të ketë ndryshim në drejtim të çështjeve si demokracia, antikorrupsioni dhe të tjera?

Charles Kupchan: Në një farë mënyre mendoj se zhvillimi më domethënës që lidhet me fitoren e Biden nuk është thjesht ri-investimi në NATO, ose se ai do të jetë multilateralist ose se ai do të ri-angazhohet në Ukrainë ose në Ballkan, por se rezultati i këtyre zgjedhjeve është një injeksion për demokracinë liberale, një injektim integriteti dhe civilizimi politik. Mendoj se ishte mjaft e dëmshme si për Shtetet e Bashkuara si një entitet politik por edhe për rolin e tyre në botë, kur vendet në të gjithë botën panë Shtetet e Bashkuara të përjetojnë ato lloj ndasish politike dhe atë udhëheqje politike të gabuar që patëm për katër vjet. Dhe kështu që unë mendoj se mesazhi më i rëndësishëm këtu është që Shtetet e Bashkuara që kanë qenë një model për vendet e tjera në respektimin e të drejtave të njeriut, civilizimit politik dhe shtetit ligjor, u rikthyen. Autoriteti moral po rikthehet. Mendoj se do ta shihni Presidentin Biden të mbrojë të drejtat e njeriut për liritë politike në të gjitha anët e globit.

Por duhet të kemi parasysh se zoti Biden e kupton që përparësitë kryesore të presidencës së tij të paktën tani për tani, janë brenda vendit: zbutja e pandemisë, hapja e ekonomisë, shtimi i vendeve të punës, rritja e pagave, përballja me padrejtësitë racore, reformimi i kujdesit shëndetësor dhe ndërtimi i infrastrukturës.

Kjo nuk do të thotë mungesë angazhimi jashtë vendit, thjesht do të thotë se Shtetet e Bashkuara do të investojnë më shumë kohë dhe përpjekje për zgjidhjen e problemeve të brendshme sepse në fund të fundit, forca e brendshme është themeli i forcës jashtë vendit. Duhet të kemi një politikë të brendshme të fortë, në mënyrë që të kemi një politikë të jashtme të qëndrueshme dhe efikase në Ballkan dhe më gjerë.